Vendimi i Qeverisë për t’i kaluar një kompanie të themeluar rishtazi dy puset e gazit në Frakull dhe Povelçë të Fierit duket zgjatim i një skeme të vjetër mashtrimi, por këtë herë me një kompani të re në letra dhe pronarë të rinj.
Qeveria vendosi t’i kalojë dy puset gaznxjerrëse te kompania EDG Natural Gas në pronësi të Sokol Meqemes, ndërkohë që deri më tani puset menaxhoheshin nga kompania Phoenix Petroleum.
Phoenix Petroleum është aktualisht kompani me status të pezulluar në QKB dhe në proces likuidimi, pas shpërthimit të akuzës për ngritjen e një skeme mashtrimi me fatura fiktive. Sipas akuzave që shpërthyen në 2020, Naim Kasa kishte paraqitur në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore të paktën katër fatura fiktive sikur një kompani amerikane kishte kryer investime në puset e gazit me vlera të paktën 1.5 mln dollarë.
Këtu u akuzua edhe Klodian Gradeci drejtor i AKBN-së në atë kohë si i përfshirë në skemën në fjalë, përmes pranimit të këtyre faturave.
Ndërkohë, një tjetër indicie që sugjeron se dy puset e gazit në Frakull dhe Povelçë po qarkullojnë në të njëjtat duar, por me emra të rinj është edhe fakti se dy kompanitë, pra Phoenix Petroleum dhe EDG Natural Gas e Sokol Meremeqes kanë thuajse të njëjtën adresë.
Sipas të dhënave të depozituara në QKB, EDG Natural Gas, e themeluar më 15 prill të 2021 ka adresën: TIRANE Rruga e Elbasanit, Vila Nr.71, Njësia Administrative Nr.2, Tiranë, Shqipëri.
Ndërkohë, të dhënat e dorëzuara në QKB nga Phoenix Petroleum, e themeluar më 15 maj të 2009 ka si adresë të deklaruar: TIRANE Rruga e Elbasanit, Pallat i Ri, prane Fakultetit te Gjeologji Minierave, Kati II.
Të gjitha këto të dhëna ngrenë dyshimet se puset e gazit të Povelçës dhe të Frakullit do të vazhdojnë të trajtohen si plaçkë për t’u grabitur, por nën një emër të ri.
Skema e mashtrimit me faturat
Akuzat e ngritura në 2020 tregonin dyshimet se si zyrtarët e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore në bashkëpunim me dy biznesmenët i shkaktuan shtetit një dëm prej 2 mln dollarë.
Në pranga në atë kohë ranë punonjësit Arben Doda, Simon Marku, Qano Hoxhaj e të tjerë. Gjithashtu është arrestuar edhe Naim Kasa, biznesmeni në fushën e hidrokarbureve dhe në kërkim u shpall ortaku i tij në kompaninë “Phoenix Petroleum”.
Në kërkim u shpall edhe Klodian Gradeci, ish-drejtori OST-së në Tiranë, që në kohën kur dyshohet se është realizuar kjo skemë ka qenë drejtori i hidrokarbureve i AKBN-së. Gradeci, në janar 2019 ka dhënë dorëheqjen nga posti Drejtorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, pas skandalit me firmën “DH Albania”, ku i kishte dhënë kësaj kompanie një tender me vlerë 11 milion euro.
Pas hetimeve ka rezultuar se kompania "Phoenix Petroleum", e cila është në pronësi të dy biznesmenëve kanë marrë në shfrytëzim disa puse nafte, por nuk ka kanë kryer investimet e detyrueshme. Ato i kanë dorëzuar AKBN 8 fatura të falsifikuara, sikur kanë kryer punimet nga kompania amerikane "Black Swan Energy Service". Për pasojë në hetime u përfshinë edhe autoritetet amerikane.
Në lojë në këtë skemë mashtrimi futen zyrtarët e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, që kanë certifikuar në mënyrë të kundërligjshme punimet e pakryera të pasqyruara në këto fatura si punime të bëra. Ndërsa punonjësit e administratës tatimore, Arben Doda dhe Simon Marku kanë përpiluar një raport kontrolli në kundërshtim me ligjin duke bërë që kjo administratë të pësojë një dëm ekonomik prej rreth 600 mijë dollarësh.
Hetimet për zyrtarët e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore nisën pas kallëzimit penal të drejtorit të përgjithshëm të "Albpetrol" në atë kohë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.