Në një kohë që Europa është e etur për gaz pas sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë, Shqipëria shpërdoron dy zona historike gaz-mbajtëse duke eksperimentuar në dhënien e tyre te kompani pa përvojë dhe të lidhura me pushtetarët.
Qeveria ka miratuar të enjten marrëveshjen e nënshkruar mes Albpetrol dhe kompanisë EDG Natural Gas për prodhimin dhe zhvillimin e prodhimit në vendburimin e gazit natyror në Frakull dhe atë të Povelçës në Fier. Marrëveshja mes Albpetrol dhe kompanisë EDG Natural Gas do të bëhet publike me publikimin në Fletoren Zyrtare të këtij vendimi, por vendimi i Qeverisë përcakton se Albpetrol do të ndajë prodhimin me kompaninë private.
Por, kush qëndron pas EDG Natural Gas? Nga të dhënat e depozituara në QKR, kompania EDG Natural Gas figuron e themeluar më 15 prill 2021, pra pak më shumë se një vit më parë. Ajo zotërohet në 90 për qind nga kompania Energy Development Group dhe 10 për qind nga “Impacto Communications”.
Energy Development Group zotërohet në 100 për qind të saj nga biznesmeni Sokol Meqemeja. Kjo kompani është themeluar në shtator të 2008-s me emrin “Frigo Food Energy Invest”.
Kjo nuk është hera e parë që dyshohet se biznesmeni Sokol Meqemeja, me lidhje të forta në politike si djathtas, ashtu edhe majtas favorizohet nga vendimet e qeverisë. Vjeshtën e 2021, Qeveria i kaloi 2 mijë metra katrorë pronë shtetërore për ndërtime pallatesh në Tiranë një kompanie, që deri në 2014-n kontrollohej nga Meqemeja. Në këtë vit, ky i fundit i dhuron aksionet e veta një shtetasi tjetër, duke lënë pas dyshimet se vazhdon ta kontrollojë kompaninë përmes këtij shtetasi.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.