Feldmarshall Gjergj Basta, përfaqësuesi më i spikatur i stratiotëve shqiptarë

25 April 2022, 15:24Histori SHKRUAR NGA MARENGLEN KASMI
Feldmarshall Gjergj Basta, përfaqësuesi më i spikatur i
Gergj Basta

Gergj Basta është një përfaqësues tipik i suksesit të ushtarakut në fundin e shekullit XVI. Ai lindi në një familje arbëreshe më 30 janar të vitit 1550 në Rocaforccata, afër qytetit te Tarantos të Italisë. Gjyshi i tij, Andrea Basta, bashkëluftëtar i Skënderbeut dhe pjesëmarrës në ekspeditat e kryetrimit shqiptar në Itali, ishte nga fshati Bastje afër Butrintit të Sarandës. Për nder dhe në kujtim të Gjergj Kastriotit, Dhimitër Basta i vuri të birit emrin e kryeheroit, që t'i ngjante atij. 

Pasi pas vdekjes së Skënderbeut familja e tij u shpërngul në Itali, kur Gjergji mbushi 15 vjec, i ati e mori me vete në radhët e stratiotëve.  Ai i kaloi provat e para në një repart kavalerie të komanduar prej të atit dhe më pas në një kompani të kavalerisë, të komanduar nga vëllai më i madh i tij, Nikolla. Gjergji i mori mësimet e para në një shkollë në Asti të Italisë dhe pastaj ndoqi Akademinë ushtarake të Hollandës spanjolle.

Jeta e tij si ushtarak profesionist ndahet ne dy faza, në shërbimin e tij në ushtritë e perandorisë spanjolle në Hollandë e Francë (1579-1596) dhe  në ushtritë gjermane (1596-1606), në luftën e gjatë kundër depërtimit osman në Europën Qendrore. Ai shërbeu mbi 40 vjet në ushtri duke udhëhequr mbi 100 beteja fitimtare.

Te Basta ishte kombinuar me sukses shpirti i gjallë i vendlindjes me gjakun luftarak të paraardhësve të tij. Bastën e takojmë shume shpejt nën armë, qysh në kohën e dukës së Parmës, Alesandro Farnese, në vitin 1579, kohë kur ai u bë guvernator i Holandës dhe Basta drejtonte me sukses një regjiment albanezësh, pra shqiptarësh, karrierë që e kishte filluar nga niveli më i ulët, ai i daullexhiut të luftës. Farnese e dalloi shpejt talentin dhe besnikërinë e Bastës dhe e emëroi atë në vitin 1582, pra në moshën 32 vjeçare, Komandant të Përgjithshëm të Kavalerisë. Qysh prej kësaj kohe, këshillat dhe udhëzimet e tij do të përbënin bazën përgatitore të shumë fushatave ushtarake. Diferencat ndërmejt tij dhe Oborrit mbretëror të Madridit, gjoja si pasojë e afrimitetit të tij me disa sovranë italianë, bënë që në vitin 1597, Basta të kalonte në shërbim të perandorit habsburgas Rudolph II.

Feldmarshall Gjergj Basta, përfaqësuesi më i spikatur i

Rudolph II, pasi u konsultua me vëllain e tij, komandantin e ushtrisë habsburgase arqidukën Matthias, e gradoi Bastën në qershor 1601 Feldmarshall, me kusht që ai të garantonte se do të qëndronte për një kohë të gjatë në shërbim të Perandorit habsburgas.

Në fakt, kjo kërkesë ishte diçka normale në fillimshekullin XVII. Kryerja ose nisja e një lufte bazohej mbi dy shtylla për sigurimin e burrave luftëtarë; përkrah ushtarëve të pajtuar nga feudali, bazën e rekrutimit ushtarak e përbënte mercenarizmi, madje mercenarizmi ishte shtylla kryesore e çdo ushtrie të kohës. Siç e dimë, së pari fundi i luftës 30-vjeçare në Europë i hapi rrugë krijimit të ushtrive të rregullta, gjë që shënoi edhe fundin e mercenarizmit. Në këtë kuadër, ishte krejt normale për kohën që blihej edhe shërbimi i ushtarakëve të zotë, siç ishte edhe rasti i Gjergj Bastës, i cili hyri në shërbimet e Rudolfit II.

Si komandant i përgjithshëm i ushtrisë perandorake në Hungarinë e Epërme nën komandën direkte tëA rqidukës Matthias, Basta mori pjesë në luftën e gjatë turke kundër Portës së lartë dhe aleatëve të saj katolikë lokalë në rajonin e Danubit dhe Karpateve dhe ishte një nga aktorët më të rëndësishëm ushtarakë dhe politikë. Basta arriti të korrte fitore të rëndësishme kundër Mihal Trimit në shtator 1600. Zigismond Bathory-t në gusht 1601 dhe 1603 etj.

Përkrah aftësive të tij si ushtarak, është shkruar shumë edhe për Bastën në rolin e drejtuesit administrativ.

Në pozicionin e guvernatorit perandorak në Transilvani ai e qeverisi vendin e shkatërruar nga luftërat e njëpasnjëshme me ashpërsi drakonike, planifikoi një sërë masash për forcimin e pushtetit qendror dhe zbatoi një politikë të ngurtë fetare kundër gjithë besimeve jo katolike. Në të njëjtën kohë, ai tentoi të kufizonte pushtetin e përfaqësuesve vendorë, të dobësonte strukturat administrative individuale të kombësive në këtë rajon dhe të kryente një ndërrim të pjesshëm të elitave drejtuese vendase nëpërmjet shpronësimit dhe kalimit të pronave të tyre te persona që qëndronin më afër politikave habsburgase. Sigurisht që si pasojë e kohës së shkurtër të qëndrimit të tij në këtë post, Basta nuk mundi të realizonte gjithë këto synime.Në një traktat të hartuar prej tij, ku ai vlerësonte situatën në Transilvani, ndër të tjera ai shprehej pro kolonizimit me popullsi gjermane të këtij territori. Ky traktat i shërbeu Vjenëspas vitit 1620 si orientim për politikën e saj ndaj vendeve boheme.

Basta zotëronte përkrah latinishtes dhe italishtes edhe spanjishten dhe gjermanishten. Në vitet 1600-1605 ai ishte padyshim personaliteti më i spikatur në politikën habsburgase ndaj Transilvanisë. Përkrah talentit të tij në drejtimin ushtarak ai ishte një diplomat i aftë, çka e tregoi në zotërimin  e situatave të ndryshme politike në Transilvani dhe rajonet përreth.

Ndër të tjera Basta konsiderohet edhe si mjeshtri dhe mësuesi i gjeneralit të mëvonshëm dhe një nga protagonistët kryesorë në luftën 30-vjeçare, Wallenstein-it, Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Ligës Katolike në luftën 30-vjeçare. Në vitin 1605, Wallenstein-i luftonte kundër turqve përkrah Bastës për marrjen e kështjellës Gran, si kapiten i këmbësorisë, ose popullit këmbësor, siç quheshin atëherë. Wallenstein-i mësoi nga Basta taktikën e këmbësorisë së lehtë, që do ta përdorte me shumë mjeshtëri më vonë gjatë konfliktit europian 30-vjeçar.

Feldmarshall Gjergj Basta, përfaqësuesi më i spikatur i

Më 11 nëntor 1606 ndërmjet Perandorisë Habsburgase dhe Portës së Lartë u nënshkrua paqja që mbylli luftën e gjatë turke. Ndër të tjera, një nga vendimet e rëndësishme të saj ishte fitimi i pavarësisë së principatës së Transilvanisë. Basta ishte kundër bisedimeve për paqe me Portën e Lartë por po ashtu kishte pak mjete në dispozicion për të vazhduar më tej luftën. Këshillat e tij për perandorin, që mos të pranonte bisedimet për paqe nuk u dërguan prej tij. Kundërshtarët e Bastës pranë perandorit e interpretuan këtë qëndrim të Bastës me fjalët: “Ai [Basta] kërkon të mbajë gjallë zjarrin e luftës, me qëllim që të ngrohet sa më gjatë prej tij”.

I prekur nga kjo gjë, por edhe i lodhur  nga konfliktet e brendshme, problemet financiare të perandorisë, si dhe paaftësia e drejtuesve ushtarakë, në vitin 1606 ai dorëzoi detyrën e tij si gjeneral komandues i trupave të Transilvanisë.

Pas tërheqjes nga jeta publike në vitin 1606, Basta ju përkushtua shkrimit të veprave ushtarake, për të cilat do të na flasin kolegët më pas.

Në literaturën gjermane dalin dy data për vdekjen e Bastës. Në vitin 1607 dhe 1612.  Në vitin 1612 Basta do të varrosej, ose rivarrosej në kishën franciskane të Vjenës, në qendër të Vjenës dhe ndoshta kjo gjë shakton edhe këtë ngatërresë për kohën e vdekjes.

Pavarësisht nga kjo mospërputhje, në biografitë e publikuara, të gjithë autorët bien në një emërues të përbashkët se, Basta ishte një nga strategët më të mëdhenj ushtarakë të para absolutizmit dhe veprat e tij ushtarake ndikuan ndjeshëm në përmirësimin dhe zhvillimin e artit europian të luftës.

©Copyright Vox News

Ky artikull i historianit Marenglen Kasmi është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video