Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo duke folur mbi librin e tij të fundit në emisionin “Arnautistan” e konsideron Enver Hoxhën një figurë të madhe të historisë shqiptare.
Historiani thekson se figurë të madhe mund të jesh edhe me të këqijat që mund të bësh.
Milo thotë se u ka cenuar mitin simpatizantëve të Enver Hoxhës, lidhur me faktet që ish-diktatori nisi i pari luftën ndaj Ballit Kombëtar.
“Padyshim që Enver Hoxha edhe për ata që nuk e duan, dhe ata që e duan, është një figurë e madhe e historisë shqiptare, kjo nuk do të thotë se ka vlerësim pozitiv, i madh mund të jesh në të mirat dhe të këqijat që mund të bësh. Duhet të pranojmë që komunizëm sollën risi. E para sepse ishin të rinj dhe s’kishin paragjykime. Të gjitha vajzat partizane ishin të shkolluara. Liri Gega ishte mësuese e shkollës Nëna Mbretëreshë, Nexhmije Hoxha nxënëse. Nuk kam lënë pa përmendur (në libër) edhe meritat në Luftën Nacional Çlirimtare. Në letrat e tetorit 1943 Enver Hoxha mban përgjegjësi për nisjen e luftës ndaj Ballit Kombëtar. Mjaft njerëz që janë simpatizantë të Enver Hoxhës, i ka prekur. Ata s’janë shkëputur nga dogma, dhe unë u kam cenuar mitin. Ata gjykojnë si partizan, unë si historian. Ato tre letra absolutisht asnjëri s’duhet të marrë guximin t’i diskutojë”.
Paskal Milo tha se Enver Hoxha përfitoi dhe u stërvit njëkohësisht nga Miladin Popoviçi.
“Enver Hoxha edhe përfitoi nga Miladin Popoviçi, por edhe u stërvit njëkohësisht, dhe iu shtua etja për pushtet politik. De facto filloi të luajë rolin e udhëheqësit. U propozua të zgjidhej Ymer Dishnica, dhe u zgjodh pas tij Enver Hoxha. Rruga e Enver Hoxhës nga shkurt 1942 kur u bë sekretar politik, deri në maj 1943 është një vijë rritëse. Unë mendoj që ambicien për pushtet e ka marrë rrugës. Filloi ta ndjejë veten më të sigurt dhe të çarë rrugën për t’u bërë udhëheqës i Partisë Komuniste. Ka pasur predispozicion të brendshëm për t’u bërë udhëheqës”.
Milo deklaroi më tej se Lufta Nacional-Çlirimtare në Shqipëri nuk ishte luftë civile, por mund të ketë pasur elemente të saj.
Milo tha se "Mit’hat Frashëri pranoi hapur që s’mund t’i luftonte gjermanët me arsyetimin se ata na bënë nder me bashkimin Kosovë-Shqipëri", por sipas historianit themeluesi i Ballit Kombëtar dhe bashkëpunëtorët e tij gabuan.
“Lufta Nacional-Çlirimtare nuk ishte luftë civile. Mund të ketë pasur elemente të luftës civile. Në një vend të pushtuar nga pushtuesi gjerman detyra kryesore dhe objektivi kryesor është lufta për çlirim. Nuk mund të jetë nën një pushtim të huaj luftë midis shqiptarëve, sepse objektivi është pushtuesi i huaj. Ky është një interpretim i njëanshëm. Nuk them që s’ka pasur elementë. Por nuk pati luftë frontale mes tyre. Ashtu siç pohoj që Enver Hoxha ishte i pari që nisi sulmin ndaj Ballit Kombëtar, po me gojën plotë pohoj që Balli Kombëtar bëri gabim që bashkëpunoi me pushtuesin gjerman”.