Sezoni i pushimeve verore nxit ide kreative te familjet që mundohen të kursejnë sado pak, ndërkohë që çmimet në bregdet shtrenjtohen gjithnjë e më tepër.
Rasti i tillë është edhe ai i një familjeje italiane nga qyteti i Barit që kishte shkuar me pushime në Manduria të Tarantos.
Ata kanë vendosur të mos prenotojnë fare hotel, për të kursyer para, dhe kanë ngritur një çadër gjigante rreth 30 metër katror buzë detit dhe pranë rezervatit natyror në grykëderdhjen e lumit Çidro.
Megjithatë pushimet falas të familjes italiane nuk zgjatën shumë. Fotografia e postuar nga një qytetar në rrjetet sociale u përhap me shpejtësi, duke rënë kështu në sy të policisë, të cilët së bashku me punonjës të bashkisë zhvilluan një aksion për çmontimin e çadrës.
Në fund, familja mori edhe një gjobë prej 500 eurosh. E pas gjithë kësaj aventure, me siguri do të kishin kursyer më tepër para nëse do të qëndronin në hotel.