Guvernatori i njohur republikan kritikon Trump për luftën në Iran: Çmimet e karburanteve po rëndojnë amerikanët

3 November 2026, 19:28Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Guvernatori i njohur republikan kritikon Trump për luftën në

Guvernatori republikan i Floridës, Ron DeSantis, ka kritikuar presidentin amerikan Donald Trump për përfshirjen në luftën në Iran, duke paralajmëruar se konflikti dhe rritja e çmimeve të karburanteve po dëmtojnë mbështetjen e republikanëve te votuesit.

Në një intervistë për emisionin radiofonik Straight Shooter with Stephen A, të komentatorit politik Stephen A. Smith, DeSantis tha se Trump kishte ardhur në pushtet me premtimin se nuk do të përfshinte Shtetet e Bashkuara në një tjetër luftë në Lindjen e Mesme, por se zhvillimet kanë treguar të kundërtën.

Sipas tij, një pjesë e votuesve republikanë janë distancuar nga partia, pasi nuk dëshironin përfshirjen e SHBA-së në konflikte të tjera të këtij rajoni.

DeSantis u ndal edhe te ndikimi ekonomik i luftës, duke theksuar se rritja e çmimeve të benzinës po rëndon veçanërisht familjet dhe shtresat e punës.

“Nëse nuk mund t’ua pranosh këtë votuesve, atëherë po i mashtron ata dhe ata nuk do të të dëgjojnë më për çështje të tjera”, deklaroi guvernatori, duke përdorur termin gaslighting për të përshkruar mënyrën se si, sipas tij, republikanët po përpiqen të mohojnë realitetin ekonomik.

Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse lufta vazhdon gjatë gjithë pjesës së mbetur të mandatit presidencial të Trump, pasojat do të jenë të rënda për aftësinë e presidentit për të realizuar agjendën e tij dhe për perspektivën elektorale të republikanëve.

Gjatë intervistës, DeSantis foli edhe për të ardhmen e tij politike pas përfundimit të mandatit si guvernator në janar. I pyetur nëse synon të rikandidojë për president në vitin 2028, ai nuk dha një përgjigje të prerë, duke lënë të kuptohet se një garë e tillë mund të ndodhë edhe më vonë.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Ndoshta një ditë. Nuk e di për vitin 2028, ndoshta më vonë”, u shpreh ai.

DeSantis, i cili dështoi në garën republikane për nominimin presidencial në vitin 2024, pasi Donald Trump siguroi kandidaturën e partisë, ka pasur një marrëdhënie të tensionuar politike me presidentin.

Ndërkohë, në garën për guvernatorin e ardhshëm të Floridës, ai ka mbështetur kandidatin republikan Byron Donalds, i cili përballet me demokratin David Jolly.


Video