
Një valë kërcënimesh për vendosjen e bombave në avionë është raportuar këtë të martë në disa vende të Evropës, duke vënë në lëvizje autoritetet e sigurisë dhe duke aktivizuar kontrollet në aeroporte.
Sipas raportimeve të publikuara nga “The Guardian”, katër fluturime janë përfshirë në incidente të tilla, dy prej tyre me destinacion Varshavën, në Poloni, ndërsa dy të tjerat drejt Spanjës dhe Bullgarisë.
Konkretisht, bëhet fjalë për një avion të kompanisë LOT, i cili fluturonte nga Londra (Heathrow) drejt Varshavës. Boeing 737 MAX u devijua drejt aeroportit Modlin të kryeqytetit polak, ku 181 personat në bord zbritën të sigurt.
Një tjetër rast përfshiu një fluturim të kompanisë SAS nga Kopenhaga drejt Varshavës. Avioni u ul në aeroportin Chopin, ku iu nënshtrua kontrolleve të sigurisë.
Ndërkohë, një avion i Ryanair, që udhëtonte nga Mançesteri drejt Murcias në Spanjë, u ul pa probleme. Pas mbërritjes, 114 pasagjerët dhe shtatë anëtarët e ekuipazhit u evakuuan për t'iu nënshtruar kontrolleve.
Rasti i katërt kishte të bënte me një avion të kompanisë izraelite El Al, në linjën Tel Aviv–Sofje. Ai u ul në kryeqytetin bullgar pas një kërcënimi të mbërritur me email dhe u kontrollua nga ekipet kundër terrorizmit.
Të katër avionët kanë zbritur pa probleme dhe po kontrollohen nga autoritetet e sigurisë për të verifikuar nëse kërcënimet kanë qenë reale. Deri në momentin e raportimit, nuk ka të dhëna për persona të lënduar.