Pronari i Alta Bank në Serbi, Davor Macura, është arrestuar nën dyshimin se ka nxjerrë në mënyrë të paligjshme rreth 45 miliardë dinarë, afërsisht 380 milionë euro, nga kasaforta e bankës.
Prokuroria për Krim të Organizuar e Serbisë njoftoi më 2 nëntor se, përveç Macurës, u arrestuan edhe dy punonjës të lartë të bankës: drejtori i departamentit që menaxhon paratë e gatshme, G.M., dhe një zyrtar tjetër i këtij departamenti, I.P.
Sipas Prokurorisë, Macura dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij për të marrë para nga banka, me ndihmën e dy zyrtarëve të tjerë.
Ata dyshohet se i kanë dhënë kartelat e tyre të hyrjes në kasafortë ose ia kanë mundësuar hyrjen duke e shoqëruar, edhe pse ai nuk kishte autorizim për të hyrë aty.
Arrestimi vjen vetëm disa ditë pasi Banka Qendrore e Serbisë ia hoqi Alta Bankës licencën e veprimtarisë, pas përkeqësimit të gjendjes së saj financiare.
Macura ishte në qendër të vëmendjes në Serbi, kur kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, kërkoi nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, vendosjen e sanksioneve ndaj tij dhe tre biznesmenëve të tjerë serbë, të cilët i përshkroi si të afërt me pushtetin e Aleksandar Vuçiçit.
Macura është një biznesmen serb, i cili e nisi veprimtarinë e tij me një këmbimore valutore në Beograd, në vitin 2008, dhe më pas e zgjeroi biznesin në sektorin bankar, shërbimet financiare, pasuritë e paluajtshme dhe tregti.