
Gjykata Kushtetuese ka miratuar një aneks të rregullores së saj që përcakton procedurat për shqyrtimin e kërkesave të ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve, të cilët janë shkarkuar nga detyra gjatë procesit të vettingut dhe kanë kërkuar rishikimin e vendimeve të marra ndaj tyre.
Pas përfundimit të mandatit të institucioneve të vettingut, këto çështje do të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa rregullorja e re parashikon që vëzhguesit ndërkombëtarë të jenë të pranishëm në të gjitha fazat e shqyrtimit, përfshirë edhe dhomën e këshillimit, ku gjyqtarët marrin vendimet.
Edhe pse procesi i rivlerësimit kalimtar në Shqipëri ka përfunduar dhe mandatet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) kanë përfunduar, një numër ish-magjistratësh të shkarkuar i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar vendimet e vettingut.
Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, rregullorja e re parashikon edhe praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) gjatë shqyrtimit të këtyre çështjeve.
Në bazë të rregullores, vëzhguesit e ONM-së do të kenë të drejtë të njihen me dosjet gjyqësore, provat dhe dokumentacionin e administruar, si dhe të jenë të pranishëm në të gjitha fazat e shqyrtimit, përfshirë edhe dhomën e këshillimit.
Vëzhguesit ndërkombëtarë do të mund të paraqesin edhe gjetje dhe mendime me shkrim për rrethana apo fakte të çështjeve konkrete, të cilat Gjykata Kushtetuese mund t’i marrë në konsideratë gjatë vendimmarrjes. Megjithatë, këto mendime nuk kanë vlerën e provës dhe vëzhguesit nuk kanë të drejtë vote apo pjesëmarrjeje në vendimmarrje.
Aneksi përcakton gjithashtu se kërkesat për çështjet e juridiksionit të rivlerësimit do të shqyrtohen fillimisht nga një Kolegj i përbërë nga tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Nëse kërkesa nuk plotëson kriteret ligjore, Kolegji mund të vendosë moskalimin e saj në seancë plenare. Ky vendim duhet të merret njëzëri. Në rast se njëri prej gjyqtarëve ka mendim të ndryshëm, çështja i kalon për shqyrtim paraprak Mbledhjes së Gjyqtarëve.
Shqyrtimi në seancë plenare do të bëhet me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve, por në asnjë rast me më pak se dy të tretat e tyre. Vendimi do të merret me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve, ndërsa abstenimi nuk lejohet.
Në dispozitat kalimtare parashikohet se të gjitha veprimet procedurale të kryera nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit përpara përfundimit të mandatit të tij, më 17 qershor 2026, do të konsiderohen të vlefshme dhe do të ruajnë efektet juridike. E njëjta gjë vlen edhe për veprimet e kryera nga Gjykata Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të aneksit.
Vendimi për miratimin e rregullores është marrë më 2 nëntor 2026, me shumicë votash. Kundër ka votuar gjyqtarja Sonila Bejtja, ndërsa pro kanë votuar gjyqtarët Fiona Papajorgji, Sandër Beci, Genti Ibrahimi, Ilir Toska, Marsida Xhaferllari, Asim Vokshi dhe Marjana Semini. (TCH)