Thellohet skandali/ Kompania e 90-vjeçares për evazion u krijua kur Briseida Shehaj ishte në krye të Tatimeve

4 July 2022, 21:07Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
 
Thellohet skandali/ Kompania e 90-vjeçares për evazion u krijua kur
Brisida Shehaj dhe Haxhire Gurakuqi

Një intervistë e 90-vjeçaren Haxhire Gurakuqi pushtoi sot mediat online, pasi ajo jeton në azilin e pleqve, por në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton si biznesmene. Ajo ka deklaruar se është mashtruar nga dy persona, të cilët i kanë dhënë disa dokumente për t’i firmosur me justifikimin që t’i zhbllokohej një shumë parash.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi sot se kompania “SOPOTONIA”, ku Haxhire Gurakuqi rezulton si administratore ka bashkëpunuar me kompaninë e inceneratorëve për të bërë evazion fiskal. Por, deklarata e Kryemadhit ishte gjysmake, selektive, fshehu emrat e rëndësishëm dhe nuk tha të vërtetën se cila është skema e kësaj kompanie.

E vërteta është se emri i Haxhire Gurakuqit nuk del vetëm tek emri i kompanisë “SOPOTONIA”, por rezulton dhe si ortake tek kompania “KOLECI 2003”, por dhe si ish-pronare e kompanisë “LUMI - 06”.

Kompania “SOPOTONIA” është themeluar më 25 Qershor 2014 me zyrë qendrore në Fushë Krujë. Kompania “KOLECI 2003” është themeluar më 24 Korrik 2008 me zyrë qendrore në Laç, ndërsa kompania “LUMI – 06” është themeluar më 17 Nëntor 2016 me zyrë qendrore në Tiranë.

Kompania “LUMI – 06” rezulton të jetë themeluar nga një tjetër e moshuar, Lumturije Murati, por në vitin 2017 blihen 100% aksionet nga Haxhire Gurakuqi, ndërsa në vitin 2018 është larguar Haxhire Gurakuqi dhe aksionet blihen sërish 100% nga Lumturije Murati dhe sërish një vit më vonë është larguar Lumturije Murati dhe aksionet blihen 100% nga Thanas Çani, një tjetër i moshuar, i cili rezulton si administrator i kësaj kompanie edhe sot.

Pra, Haxhire Gurakuqi dhe Thanas Çani rezultojnë pronarë kompanish, por as nuk ja kanë patur ndonjëherë idenë.
Pra, problemi është më i madh dhe kjo është një skemë e madhe evazioni me disa kompani të regjistruara ndër vite.

Pyetjet që shtrohen këtu janë:

- Kush janë pronarët e vërtetë të këtyre kompanive?
- Cilat janë kompanitë e mëdha që kanë bërë blerje fiktive tek këto kompani dhe që kanë fituar tendera shtetërorë?
- Cilët janë personat që kanë falsifikuar firmat e të moshuarve dhe a janë kapur dhe dënuar ata?
- Cili është roli i Brisida Shehajt, pasi këto kompani janë disa vjeçare dhe blerje te to janë bërë edhe gjatë kohës që ajo ka qenë drejtoreshë tatimesh?
- A ka nisur hetim prokuroria në lidhje me ngritjen e këtyre skemave për mashtrim?
- Cilët emra oligarkësh nuk denoncoi sot Monika Kryemadhi?
- A duhet të mbajë përgjegjësi Brisida Shehaj si ish-Drejtoreshë e Tatimeve për këto skema evazioni?

Hetimet duhet të përqendrohen se kujt i kanë dhënë fatura këto kompani për të shkuar tek “peshqit e mëdhenj”. Kryemadhi deklaroi sot se denoncimin do e çonte në SPAK dhe shpresojmë që emrat e vërtetë edhe nëse nuk janë tek dosja e LSI-së të nxirren nga hetimet e prokurorisë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video