Si tremben oligarkët e naftës nga Rama dhe a ishte rritja e çmimit një flluskë?!

11 March 2022, 11:22Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Si tremben oligarkët e naftës nga Rama dhe a ishte rritja e
Shefqet Kastrati, Edi Rama dhe Paulin Gega

"Koha të shpëlani mëkatet, pastaj të vijoni të fitoni kur gjërat të normalizohen", tha Rama ditën e sotme në takimin me furnizuesit e karburantit, ku u kërkoi “të sakrifikojnë” fitimin për një sens patriotik.

Një ditë më parë Edi Rama gjatë protestës së qytetarëve tha se do miratojë një akt normativ për mos lejimin e abuzimit me shtijen e karburantit, ditën e sotme është shënuar një rënie të çmimit në pikat e tregtimit. Sot një litër naftë tregtohet për 223 lekë në vend, nga 243 lekë një ditë më parë. Ndërkohë që dy ditë më parë u shënua dhe çmimi rekord prej 260 lekë për litër!

 

Nga ana tjetër, në bursat ndërkombëtare çmimet e naftës kanë zbritur këtë të premte në 109 dollarë për fuçi, 4 dollarë më pak nga e enjtja (113$). Dy ditë më parë Shtete e Bashkuara njoftuan se ndaluan importet e naftës nga Rusia, por OPEC qetësoi tregjet duke deklaruar se do të rrisë prodhimin. Në tregun vendas, nafta u shtrenjtua në 192 lekë kur arriti mbi 90 dollarë në bursa dhe arriti në 250-260 lekë në ditën që ajo shkoi në 130 dollarë.

Si Rama i frikësoi oligarkët e naftës?

Ditën e sotme, çmimi i naftës ka pësuar rënie dhe gjatë takimit të parë me furnizuesit të naftës, Edi Rama u tha furnizuesve të naftës se askush prej tyre nuk do mbetet pa bukë.

“Askush nga ju nuk rrezikon të mbetet pa bukë. Do dëshiroja shumë që këtë gjë ta bëjmë me një sens patriotik. Askush nga ju nuk rrezikon të humbasë atë që ka fituar. Por ka sot detyrimin për këtë periudhë që është. Nëse zgjat më shumë se tre muaj është situatë tjetër jo për ju por për të gjithë. Për këtë periudhë kohe duhet ta ndani mendjen që do rezistoni dhe nuk do fitoni. Kjo është një mundësi e artë që të shpërlaheni nga mëkate dhe të ktheheni të fitoni sërish”, u shpreh Rama.

Por Rama nuk u ndal me kaq, ai njoftoi ngritjen e bordit të administrimit të karburanteve për të kontrolluar rritjen e lartë të çmimit të naftës. Rama tha se situata me rritjen e çmimeve të karburanteve, energjisë dhe produkteve ushqimore është impaktuar nga lufta.

“Brenda 48 orësh do themi konkretisht se çfarë do të bëjmë. Ky vend është në luftë, ka ardhur lufta në këtë vend, lufta ka ardhur me faturën e rritjes së çmimeve, ndaj do ta trajtojmë si në luftë, duke ndaluar spekulimet me rritjen e naftës, me një akt normativ, një bord kombëtar të administrimit të karburantit,  ku do të flitet për të gjitha hapat. Do përcaktojmë masa drastike për çdo furnizues që shkel vendimet e marra në një tryezë të përbashkët mes furnitorëve dhe qeverisë. Nuk do të lejojmë që në pikën e furnizimit të shfaqen çmime të pamiratuara më parë në bord dhe të ketë masa ndëshkuese “, tha Rama.

Monitor shkruante se një shqiptar duhet të shpenzojë mesatarisht gati 20% të të ardhurave ditore për të blerë një litër naftë, me çmimet e sotme, më shumë sesa çdo qytetar tjetër në Europë dhe e 17-a në botë.

Çmimet e naftës kanë shënuar një tjetër rekord së fundmi, duke arritur në nivele të papara ndonjëherë prej 250-260 lekë për litër, ose rreth 2.3-2.4 dollarë. Me të ardhurat për frymë që janë rreth 4400 dollarë në vit, sipas Bankës Botërore, ndër më të ulëtat në Europë, shtrenjtimi i karburanteve do peshojë më shumë jo vetëm në xhepat e atyre që kanë makina por edhe indirekt përmes shtrenjtimit të transportit dhe produkteve të tjera zinxhir.

Kujtojmë se që nga viti 2021, çmimi i naftës është rritur tetë herë, duke arritur në rreth 230 lekë aktualisht, krahasuarme nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që arritën gjatë periudhës së pandemisë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video