Mediat iraniane: Muxhahedinët mund të ikin nga Shqipëria, do vendosen në Kanada

12 August 2023, 16:05Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mediat iraniane: Muxhahedinët mund të ikin nga Shqipëria, do
Kampi i muxhahedinëve në Manëz gjatë aksionit të policisë shqiptare


Kryetarja e Muxhahedinëve (Mujahedin-e-Khalq) Maryam Rajavi raportohet se po negocion për largimin e anëtarëve të MEK nga Shqipëria dhe rivendosjen e tyre në një vendndodhje të fshehtë në Kanada.

Lajmin e bëjnë me dije disa media të huaja të lidhura me qeverinë iraniane.

Një burim tha për agjencinë iraniane të lamjeve "Tasnim", se kryetarja e Muxhahedinëve po planifikon zhvendosjen e tyre nga Shqipëria, pas kontrolleve të Policisë së Shtetit shqiptar, me urdhër të Prokurorisë Speciale që i ka ata nën hetim për vepra terroriste nga vendi ynë.

"Liderat e MKO-së po bëjnë përgatitje për tërheqjen e ngadalshme të anëtarëve të tyre nga Shqipëria", tha burimi për median iraniane.

Kjo agjenci mediatike ka raportuar më herët se Maryam Rajavi-t i është ndaluar hyrja në Shqipëri.

Më tej pretendohet se Rajavi ka dështuar të dakortësohet me autoritetet franceze për relokimin e tyre në komunën Auvers-sur-Oise, në periferi të Parisit.

Tasnim raporton se ata kanë filluar negociatat me zyrtarët kanadezë, për të siguruar lëvizjen dhe fillimisht për të marrë leje qëndrimi dhe pasaporta provizore për anëtarët e grupit.

Agjencia iraniane pretendon se muxhahedinët janë shprehur se "status quo"-ja e tyre në Shqipëri, nuk është e ndryshme nga Iraku.

Rreth 3,500 muxhahedinë strehohen në kampin "Ashraf" në Manëz të Durrësit prej gati 10 vitesh.


Video