Nëse do të ishte vetëm në dorë të Sali Berishës, Belind Këlliçi ndoshta nuk do të ishte pjesë e kandidatëve për kryetarë bashkie në Tiranë.
Por, deputeti ka gjetur pikën e dobët të Sali Berishës, Ilir Metën.
Kur doli nga selia e Partisë Demokratike dhe deklaroi se Sali Berishës i kishte propozuar një emër për kryetar të këshillit bashkiak, Ilir Meta me gjasë nuk është treguar krejtësisht i sinqertë, ose më saktë s’i ka thënë të gjitha në publik.
Fill pas këtij takimi të tij me Sali Berishën, qarkullon në media emri i Belind Këlliçit si kandidat potencial. Pak orë më vonë deputeti shpalos kandidaturën për në primare. Rastësi? Vështirë të jetë e tillë.
Më shumë se rastësi, Belind Këlliçi është sponsorizim i Ilir Metës. Sali Berisha e distancoi pas kuvendit të 11 dhjetorit të vitit të kaluar. Por, Ilir Meta duket se atë që ishte në largim nga dera e hodhi sërish nga dritarja si kandidat përballë Erion Veliajt.
Këlliçi i është mirënjohës kryetarit të Partisë së Lirisë për këtë promovim. Mirënjohja shprehet edhe përmes rrjeteve sociale, ku deputeti demokrat, që thotë se ka bërë burg për Tiranën dhe se mbron të përndjekurit i bën ‘like’ fotove të Ilir Metës nga Peza, ku ish-Presidenti kishte mbledhur të rinj dhe lëvdonte luftën nacional-çlirimtare.

Gjithsesi, asgjë nuk duhet të bëjë më çudi. Kur një ish-bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, siç denoncon Autoriteti i Dosjeve, u transformua në mbrojtësin më të madh të kushtetutës e demokracisë, edhe Belind Këlliçi mund të transformohet si pasaardhës i luftës nacional-çlirimtare, që në vitet e tranzicionit në Shqipëri është identifikuar kryesisht me të majtën.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.