Disa vite më parë, në morinë e njoftimeve të shpërndara nga policia e shtetit në lidhje me aksionet e ndërmarra kundër paligjshmërisë ishte edhe ai për arrestimin e një 63-vjeçari nga Rubiku. Akuza që rëndonte ndaj tij ishte ajo e kontrabandës së lopëve dhe viçave.
Njoftimi i asaj kohe shtjellonte më tej se i arrestuari ishte kapur në flagrancë me një lopë dhe një viç që po i transportonte drejt Milotit, ku do t’i shiste në tregun e gjësë së gjallë, që mbahet çdo të diel.
Arrestimi në një kohë që vendi ziente nga grupe kriminale mjaft aktive, kryesisht në fushën e kultivimit të hashashit prodhoi një mori memesh në rrjetet sociale dhe reagimin publik, duke e konsideruar atë si qesharak.
Pak vite më vonë, policia shndërrohet sërish në objekt memesh me njoftimin po aq qesharak se ka arrestuar një të ri që tregtonte puro kontrabandë, njësoj sikur të ketë zbuluar evazionistin më të madh në vend, kriminelin që shmangu taksat, dëmtoi buxhetin e shtetit dhe pamundësoi rritjen e pensioneve.
Por, më shumë se sa kriminel, 32-vjeçari i arrestuar për kontrabandë purosh është viktimë e presionit të vazhdueshëm e të drejtpërdrejt nga ana e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla. Ky i fundit ka ushtruar presion për statistika arrestimesh, ku më shumë se sa cilësia e të arrestuarve i duhet numri i tyre.
Kjo qasje e ministrit Balla është kritikuar edhe nga Kryeministri. Burime për Vox News bëjnë me dije se Rama i ka kërkuar Ballës të jetë më i përmbajtur me aksionin “Tempulli” dhe të luftojë krimin e organizuar me zellin që po lufton gjurmimin e spaçatorëve. Rama i ka shprehur shqetësimin se kjo politikë e Ballës po i kthehet në kosto elektorale, por dhe ka rritur pakënaqësinë nga shumë familjarë që i kanë njerëzit e tyre në burg për 1.5 gr hashash.
Kjo politikë e ashpër e nxitur nga ministri i Brendshëm bie ndesh me qëndrimet e Komitetit të Helsinkit dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare që në vend të arrestit me burg kanë kërkuar aplikimin e ndëshkimeve alternative për krimet e rëndomta.
Nga ana tjetër, veç mbushjes së qelive politika e arrestimit me burg për gjithçka por rrit edhe kostot në shërbimin penitenciar. Kjo do të thotë se buxheti i shtetit humb dyfish. Si shembull, në rastin e puro-shitësit, një gjobë e vendosur ndaj tij përveçse do të arkëtonte të ardhura në buxhet nuk do të kontribuonte në stërmbushjen e qelive, ku dihet tashmë që paraburgimet e vendit kanë një problematikë të theksuar mbipopullimi.
…dhe mbi të gjitha, Policia e Shtetit do t’i kursente vetes shpërfaqjen qesharake nëpër memet e rrjeteve sociale.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.