A ka përgjegjësi Kastrati për grabitjen në Rinas?

12 June 2023, 20:49Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
A ka përgjegjësi Kastrati për grabitjen në Rinas?
Aeroporti i Rinasit

Policia shpalli në kërkim dy persona për grabitjen e një makine brenda territorit me pagesë të parkingut të Aeroportit të Rinasit, i dhënë me koncesion për Shefqet Kastratin.

Nëse nuk do të ishte për sistemin e lokalizimit gjehapësinor (GPS) të automjetit, makina tip Range Rover sot me gjasë do të ishte e zhdukur dhe një tjetër mjet që u shtohej statistikave në këtë krim. Por, falë këtij sistemi policia arriti ta lokalizojë dhe rikthejë automjetin tek i zoti.

Megjithatë, ajo çfarë nuk thuhet në njoftimin e policisë është përgjegjësia e koncesionarit. Shqiptarët janë familjarizuar tashmë me tarifat e majme e pagesat për shërbimet që ofron koncesioni i aeroportit të Rinasit, përfshirë këtu edhe për parkingun, ku në një natë paguhet të paktën 700 lekë.

Por, për çfarë shkojnë këto para? A shkojnë vetëm për hapësirën e zënë në një pronë që në thelb është publike, por që në fakt shfrytëzohet dhe të ardhurat shkojnë për koncesionarin, në këtë rast Shefqet Kastratin?

Sigurisht që jo! Pagesat përfshijnë edhe sigurinë e mjetit, që të paktën në këtë rast dështoi. Pavarësisht këtij dështimi, ndaj Kastratit ligjërisht nuk bie asnjë përgjegjësi, sipas njoftimit të policisë.

Përgjegjësia dhe faji në këtë rast, me përjashtim të autorëve të grabitjes së makinës, mbetet jetim. Po pse duhet të bjerë përgjegjësia edhe ndaj koncesionarit, që e sheh aeroportin si një lopë që duhet mjelë, duke mos ofruar as sigurinë më minimale për klientët e vet?

Në radhë të parë, përgjegjësia duhet të bjerë që çdokush të ndjehet i sigurt në ambientet e një prone të përbashkët të shqiptarëve dhe çdo kundërvajtje administrative apo penale të përballet me forcën e ligjit.

Së dyti, nëse koncesionari nuk vendoset para përgjegjësisë, kush u garanton qytetarëve se veta ai nuk ngre nesër një skemë të mirëfilltë grabitjeje makinash në parkingun ku si rregull duhet t’i ruajë vetë?

Këto janë arsyet se përse Kastrati duhet të mbahet përgjegjës për grabitjen brenda një prone shtetërore, që ai e ka marrë me koncesion me qëllim përmirësimin e shërbimit për qytetarët dhejo grabitjen e tyre. / Voxnews.al

 


Video