A ka faj BE për korrupsionin në Shqipëri?

22 Janar 2023, 19:51Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Shënim: Forumi ekonomik i Davosit deri një dekadë më parë ishte eventi më i rëndësishëm me të cilin niste viti. Ai mblidhte udhëheqësit kryesorë të Perëndimit dhe të mbarë botës dhe ishte vendi ku ngjizeshin vendimmarrjet më me ndikim në jetën e qytetarëve, që më pas pasqyroheshin në mediat më të mëdha botërore.

Por, forumi sot është zhvlerësuar në një event mediokër, ku lajmi më i bujshëm që prodhoi ishte deklarata e Kryeministrit Edi Rama me shprehjen ‘Karma is a Bitch’.

Me këto fjalë, Rama iu drejtua kryetares së Parlamentit Europian, duke i përqeshur në fytyrë ngjarjen e ditës në Bruksel, ku eurodeputetë, ish-eurodeputetë dhe zyrtarë të tjerë të BE-së janë marrë nën hetim për korrupsion.

Hakmarrja është një gjellë që shërbehet më mirë e ftohte dhe gjuha hakmarrëse e Edi Ramës ndaj drejtueses së PE-së e tillë ishte. Deklarata e tij u mor e qarkulloi lajm ne mediat ndërkombëtare dhe më pas ato të Tiranës.

Gjithsesi, në Tiranë mediat u morën me tekstin, por anashkaluan kontekstin. Teksti i deklaratës së Ramës ishte; s’çdo mbjellësh do të korrësh. Pasi i tha kryetares së PE-së këto fjalë, Rama iu referua talljes së Brukselit, ku fillimisht miratoi formatin e reformës në drejtësi, që niste nga lart poshtë dhe më pas refuzonte negociatat për Shqipërinë duke cituar mungesën e një gjykate kushtetuese funksionale.

Rama kishte pjesërisht të drejt. Por, konteksti i gjithë deklaratës së tij jo. Duke i thënë Parlamentit Europian se ‘ç’të mbjellësh do të korrësh’ e duke iu referuar akuzave të fundit në Bruksel për korrupsion, Rama tërthorazi akuzoi Bashkimin Europian se nxiti korrupsionin në Shqipëri.

E thënë në vija më të trasha, Rama shpërndau përgjegjësinë dhe fajin për nivelet e korrupsionit në Shqipëri, që shkojnë deri te ish-zëvendëskryeministrat e tij, me Bashkimin Europian.

BE ka problemet e veta dhe në të shkuarën i kanë shpërthyer skandale korrupsioni në dorë. Madje mes të akuzuarave ka qenë edhe ambasadorja e Brukselit në Shqipëri gjatë hartimit të reformës në drejtësi, Romana Vlahutin.

Por, sa naiv duhet të jetë dikush që të besojë se pse SPAK nuk heton sot Arben Ahmetajn në lidhje me pagesat që ka përfituar nga Klodian Zoto është faji i Bashkimit Europian?

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video