Berisha ‘aleancë’ me Ahmetajn/ Nuk e përmend më skandalin e faturave te hotelit

20 Janar 2023, 21:34Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arben Ahmetaj dhe Sali Berisha

Për gati 70 minuta, Sali Berisha doli këtë të premte në konferencën e zakonshme për shtyp me gazetarët.

Konferencën e nisi me akuzat e zakonshme adresuar Edi Ramës, Qeverisë dhe ministrave të tij, foli më pas për çështjen e inceneratorëve, dukshëm i frymëzuar nga Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta.

Ai përsëriti akuzat e Kryemadhit dhe Metës se inceneratori i Tiranës nuk djeg mbetjet, se si po vidhen sipas tij 18 euro për çdo tonë mbetje që depozitohen në Sharrë e të tjera e të tjera.

Depozitimi dhe mënyra e pagesës për çdo ton është çështje teknike që zgjidhet nga kontrata e këtij koncesioni. Por, ajo që nuk është teknike është fakti që edhe pse foli për gati 70 minuta, Sali Berisha nuk u ndal te Arben Ahmetaj.

Ai foli sesi po keqqeveriste Edi Rama, se si po vidhte me inceneratorët por shmangu nga fjalitë e përzgjedhura, shpesh me shumë sforco, emrin e Arben Ahmetajt dhe faturat e pagesave të hoteleve nga Klodian Zoto për të.

A lidhet kjo me një aleancë të re të Berishës me Ahmetajn, ku shkesi është Ilir Meta?

Pyetja nuk merr dot përgjigje për momentin, por fakti që në të njëjtën konferencë Berisha mori nën sqetull Ilir Metën duke e mbrojtur nga akuzat se 20 e kusur vite më parë, kohë kur ka qenë Kryeministër vodhi floririn e Krrabës e lë të hapur si mundësi.

Berisha, i njëjti që 20 vite më parë e akuzonte Ilir Metën si autorin e grabitjes së floririt, sot thotë se nuk ka asnjë koment.

Burimi: Top News

Video