Një debat mes moderatorit Luan Rama dhe deputetes së Partisë Socialiste, Sara Mila, ka bërë që kësaj të fundit t'i kërkohej largimi nga studioja e emisionit “Drejt” në Ora News.
Përplasja nisi gjatë diskutimit me avokaten Enida Bozheku, e cila po fliste për përgjegjësinë e kryeministrit Edi Rama në emërimin dhe shkarkimin e drejtuesve të institucioneve.
Sipas saj, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm te drejtorët, pasi ata emërohen nga ministrat, të cilët zgjidhen nga kryeministri.
Në këtë moment, moderatori Luan Rama ironizoi argumentin e avokates, duke iu drejtuar deputetes socialiste me një koment për “rregullin e treshit”.
“Po më shkon te rregulli i treshit tani”, tha ai, duke shkaktuar reagimin e Sara Milës.
“Çfarë ishte kjo që the?”, pyeti deputetja, ndërsa moderatori iu përgjigj se mund t’ia shpjegonte atë që po diskutohej.
Mila reagoi ashpër, duke deklaruar se kishte duruar për një orë e gjysmë, sipas saj, “budallallëqe” dhe se nuk kishte ndërhyrë deri në atë moment.
“Doni të distancoheni nga këto cinizma… Se kam një orë e gjysmë që duroj vetëm budallallëqe dhe s’po flas”, u shpreh deputetja.
Përgjigjja e moderatorit e përshkallëzoi debatin, pasi Luan Rama i kërkoi të largohej nga studioja nëse nuk ndihej rehat me diskutimin.