Një 25-vjeçar është ndaluar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka vjedhur me dhunë portofolin e një 17-vjeçari, duke e kërcënuar me thikë dhe duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ngjarja është denoncuar më 20 tetor 2026. I mituri ka kallëzuar se në rrugën “Hoxha Tasim” është kërcënuar me një mjet prerës nga një person i panjohur, i cili i ka marrë portofolin me dhunë.
Pas veprimeve hetimore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë identifikuar dhe ndaluar mbrëmjen e 22 tetorit shtetasin me inicialet F. M., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Në vijim të procedurave, policia ka ushtruar kontroll në banesën e tij. Sipas uniformave blu, gjatë ndërhyrjes, babai dhe motra e 25-vjeçarit kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, me qëllim pengimin e kontrollit.
Për këtë arsye, në gjendje të lirë janë proceduar penalisht shtetasit F. M. dhe M. M., për veprat penale “Pengimi i zbulimit të së vërtetës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Policia ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, në të cilën pretendohej se efektivët kishin ndërhyrë gjatë natës në banesën e një familjeje, duke sqaruar rrethanat e veprimeve të kryera.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën pretendohet se shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë gjatë natës në banesën e një familjeje, sqarojmë se:
Më datë 20.10.2026, një shtetas i mitur, 17 vjeç, ka kallëzuar se, në rrugën “Hoxha Tasim”, një shtetas i panjohur, nën kërcënimin e një mjeti prerës(thikë), i kishte vjedhur me dhunë portofolin, duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin, mbrëmjen e datës 22.10.2026, të shtetasit F. M., 25 vjeç, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Policisë kanë kryer kontrollin e banesës së këtij shtetasi.
Në kohën kur shërbimet e Policisë do të kryenin kontrollin e banesës, babai dhe motra e 25-vjeçarit kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, me qëllim pengimin e tyre në ushtrimin e kontrollit të banesës.
Në vijim të veprimeve, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit F. M. dhe M. M., për veprat penale “Pengimi i zbulimit të së vërtetës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.