Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar në një intervistë për News 24 se, sipas informacioneve që disponon, është depozituar një kallëzim ndaj deputetes të PS-së Elisa Spiropalit, duke e krahasuar këtë situatë me rastin e Erion Veliajt.
Sipas Këlliçit padia është kurdisur nga Belinda Balluku që ai me ironi e quan Nesti Balluku dhe i bën thirrje Spiropalit të flasë publikisht për zhvillimet politike dhe protestat e studentëve.
“Nesti Balluku, alias Nesti Angoni, ka depozituar një kallëzim për Elisa Spiropalin, njësoj siç ndodhi me Erion Veliajn. Spiropali bën mirë të thotë të vërtetën e saj dhe të flasë për atë që po ndodh me të rinjtë dhe studentët shqiptarë. Ajo ka qenë ministre e Jashtme, ka mbajtur edhe më parë poste ministrore dhe është një politikane me eksperiencë. Do të ishte mirë të mos përfundonte si Veliaj”, u shpreh Këlliçi.
Ai theksoi se po i bënte publike këto pretendime mbi bazën e informacioneve jozyrtare, duke shtuar se, sipas tij, dihet se kush qëndron pas veprimeve të tilla.
Pjesë nga intervista e Belind Këlliçit në News24:
Këlliçi u ndal edhe te protestat, duke i cilësuar ato si një moment të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe duke paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të situatës.
“Është momenti për të shpëtuar Shqipërinë, është momenti për të shpëtuar vendin tonë. Shqipëria nuk mund të shkojë drejt kaosit total dhe luftës civile për shkak të një individi si Edi Rama, që nuk lëshon karrigen e tij, sepse e di shumë mirë se çfarë e pret”, deklaroi deputeti demokrat.
Këlliçi më tej iu referua edhe një interviste të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, të cilën e përmendi në kontekstin e reagimeve ndaj protestave në Shqipëri. Ai akuzoi kryeministrin Rama për përdorim të dhunës ndaj studentëve dhe për trajtimin e buxhetit të shtetit si pronë personale.
“Ky është individi që u ka thyer këmbët, duart dhe kockat studentëve, që i trajton paratë e shtetit si portofolin e tij personal. Kur Shqipëria përballej me zjarre, nuk u interesua për pajisjet që mund të ndihmonin në shuarjen e tyre. Tani që ka protesta, sjell avionë, makina që hedhin ujë dhe mjete për të shpërndarë turmat, me qëllim që të shtypë protestat”, u shpreh Këlliçi.
Deputeti i PD-së akuzoi Ramën se ka dëmtuar rëndë vendin dhe interesat kombëtare, përfshirë ato që lidhen me Kosovën. Ai deklaroi se kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij.
“Ky individ e di shumë mirë çfarë i ka bërë Shqipërisë dhe e di shumë mirë se çfarë e pret. Ka shkatërruar një vend të tërë, një komb dhe Shqipërinë, duke vepruar kundër interesit tonë kombëtar dhe atij të Kosovës”, përfundoi Këlliçi.