“Më komplimentoi për sytë dhe kërkoi të më përqafonte”, gazetarja rrëfen takimin me Russell Brand dy ditë pas dasmës

2026-11-11 09:22:00Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Më komplimentoi për sytë dhe kërkoi të më

Gazetarja britanike Katie Glass ka rrëfyer një takim të pazakontë me aktorin dhe komedianin Russell Brand, të zhvilluar në vitin 2017, vetëm dy ditë pas martesës së tij me Laura Gallacher. Në një video të publikuar nga “The Times”, ajo kujton sjelljen e Brand gjatë intervistës në një hotel luksoz në periferi të Londrës, ku ai po përpiqej të prezantohej si një guru shpirtëror. Rrëfimi i gazetares vjen pas dënimit të Brand me 10 vite e gjashtë muaj burg për një përdhunim dhe tre sulme seksuale. Glass thotë se u befasua nga mënyra se si ai sillej me të, pavarësisht se sapo ishte martuar. Gjatë intervistës, sipas saj, Brand i komplimentoi sytë, duke i thënë se i kishte “ngjyrë çokollate”, ndërsa e pyeti nëse dëshironte një përqafim, përpara se ta përqafonte.

Ajo kujton se Brand kishte një vetëbesim të veçantë, një përzierje karizme dhe arrogance, që sipas saj të kujtonte figurat e yjeve të rokut apo drejtuesit e sekteve. “Nuk dukej si një përbindësh, por sot e dimë se mund të ndryshonte”, rrëfen gazetarja. Glass kujton gjithashtu se e kishte takuar Brand vite më parë, kur ai ishte një figurë e njohur e showbiz-it dhe shfaqej shpesh në prapaskenat e aktiviteteve, duke biseduar me grimieret. Në takimin e vitit 2017, ai ishte 42 vjeç dhe po përpiqej të ndërtonte një imazh të ri, të lidhur me spiritualitetin.

Gazetarja e konsideron sot atë bisedë veçanërisht zbuluese, duke sjellë në vëmendje edhe deklaratat e prokurorit Riel Karmy-Jones KC, i cili e përshkroi transformimin e Brand nga një person simpatik në një figurë të frikshme, duke vënë në dukje se karizma e tij mund të përdorej në mënyrë manipuluese. Një tjetër moment që i ka mbetur në mendje gazetares është përgjigjja e Brand kur ajo e pyeti se për çfarë pendohej më shumë nga vitet kur kishte qenë i varur nga seksi.

Sipas Glass, ai u përgjigj se nuk pendohej për asgjë. Kjo përgjigje e habiti, pasi ajo priste që ai të reflektonte mbi mënyrën se si sjellja e tij mund të kishte ndikuar te të tjerët. Në fund të rrëfimit, gazetarja ngre një pyetje mbi kontrastin mes imazhit shpirtëror që Brand përpiqej të ndërtonte dhe mungesës së pendesës që ajo perceptoi gjatë intervistës: a mund të pretendosh se je në një rrugëtim shpirtëror, nëse refuzon të pranosh dëmet që ke lënë pas?

 

 


Video