2026-10-29 19:42:06Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Isha unë”. Me këto fjalë, një 29-vjeçar italian ka pranuar autorësinë e vrasjes së shqiptarit Denaldo Maxhallaku, 31 vjeç, trupi i të cilit u gjet të mërkurën në një pus në zonën e Longianos, në Itali.

Sipas mediave italiane, shqiptari, i cili punonte si bojaxhi dhe banonte në Gatteo a Mare, ishte larguar nga shtëpia mbrëmjen e 8 tetorit, duke i thënë bashkëshortes se do të shkonte në bar dhe do të kthehej më vonë. Por ai nuk u kthye më, ndërsa zhdukja e tij përfundoi në një ngjarje tragjike.

Hetimet zbuluan se Maxhallaku ishte takuar me 29-vjeçarin në banesën e këtij të fundit. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, mes tyre kishte nisur një debat për borxhet e lidhura me drogën, i cili më pas kishte përfunduar në vrasje.

I dyshuari, përdorues i lëndëve narkotike, dyshohet se kishte krijuar një borxh të konsiderueshëm për drogën. Gjatë konfliktit, ai ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar për vdekje 31-vjeçarin shqiptar.

“Kisha frikë për veten dhe familjen time, u ndjeva i kërcënuar”, mësohet të ketë deklaruar 29-vjeçari, duke u përpjekur të shpjegojë arsyet që e çuan drejt krimit.

Pas vrasjes, ai dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka ngarkuar trupin e viktimës për ta fshehur në një pus pranë fushave. Më pas, sipas hetimeve, i ka vënë flakën makinës së shqiptarit, në përpjekje për të zhdukur gjurmët.

29-vjeçari mbahet aktualisht në paraburgimin në Savignano dhe pritet të transferohet në burgun e Forlit, në pritje të seancës për vleftësimin e ndalimit. Ndërkohë, për të sqaruar rrethanat e vdekjes së shqiptarit, të shtunën pritet të caktohet eksperti që do të kryejë autopsinë e trupit të tij.

Tragjedia ka lënë të shkatërruar familjen e Denaldo Maxhallakut. Bashkëshortja e tij ka kujtuar momentet e fundit kur ai u largua nga shtëpia, pa e ditur se nuk do të kthehej më.

“Ai doli nga shtëpia më 8 tetor, duke thënë: ‘Po shkoj në bar, shihemi në mbrëmje’. Ishte një bashkëshort, një baba i kujdesshëm, e donte vajzën tonë vetëm një vjeçe dhe ishte një punëtor i jashtëzakonshëm”, është shprehur ajo.


Video