
Intervista e kryeministrit Edi Rama me gazetarin Andrew Callaghan për platformën “Channel 5” u bë virale përpara se të publikohej ditën e djeshme.
Arsyeja ishte se gjatë regjistrimit të intervistës më 7 tetor, kreu i qeverisë shqiptare ka ndërprerë bisedën dhe ka braktisur intervistën përpara përfundimit të saj.
Tensioni nisi kur Callaghan ka drejtuar pyetje të sikletshme lidhur me çështje të ndjeshme.
Intervista po fokusohej për korrupsionin, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës në Shqipëri.
Situata u rëndua kur gazetari amerikan ka pyetur kryeministrin Rama mbi lidhjet e tij duke përmendur specifikisht marrëdhëniet e tij me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, dhe projektet e tij në bregdetin shqiptar.
Dhe njëra nga pyetjet e gazetarit amerikan që solli dhe acarimin e Ramës i referohej një lajmi të Vox News për vizitën e kryeministrit në jahtin e Kushner, ku ky i fundit tregonte se si u njoh me Edi Ramën në jahtin e Rothschild-ëve dhe cila ishte arsyeja që zgjodhi Sazanin.
Lidhur me këtë pyetje, kreu i qeverisë mohoi që kishte bërë një xhiro në jaht, por tha se i kishte takuar kur jahti po furnizohej në mol dhe se u largua pasi hëngri drekë me ta.
“Nuk isha kurrë në një jaht me Ivankën. I takova në jaht kur jahti po furnizohej në mol, hëngrëm dhe ika. S’di se çfarë bënë, kur bënë xhiro”, u shpreh Rama.