Dy avokatë të Dhomës Kombëtare të Avokatisë rrezikojnë humbjen e licencës pasi thyen bojkotin.
Mësohet se Lefter Xhengo, avokati kryesisht i Leli Kajës dhe Jurgen Gjoci, avokati i Greta Gjocit janë thirrur në orën 12:00 në një mbledhje urgjente të Komitetit Disiplinor.
Lefter Xhengo theu sot bojkotin, duke marrë pjesë në seancën për masën e sigurisë ndaj administratorit të Inceneratorit të Elbasanit, Leli Kajës.
Në rast se seanca e sotme nuk do të zhvillohej, Leli Kaja do lirohej pasi do të përfundonte afati i hetimit.
Nga ana tjetër, Jurgen Gjoci mori pjesë në seancën e 8 tetorit, për Greta Gjocin, gruaja që u dërgua bashkë me foshnjën në burgun e Pojskës.
Avokati mori pjesë në seancë në mënyrë që gruaja të lirohej dhe të mos shkonte në burg me fëmijën e mitur. Ai e argumentoi thyerjen e bojkotit për arsye humane.
Dhoma Kombëtare e Avokatëve njoftoi bojkotin e të gjitha seancave të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në shenjë proteste ndaj rregullores së GJKKO-së, për të cilën avokatët pretendojnë se cenon ushtrimin e profesionit të tyre.
Ndërkohë, më 8 shtator, kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia deklaroi se të gjithë avokatët që do dalin kundër bojkotit, do të procedohen nga Komiteti i Disiplinës, duke rrezikuar edhe heqjen e licencës.