E BUJSHME/ SHBA i propozon Ukrainës të lëshojë Donbasin, në këmbim të anëtarësimit të NATO-s

14 Nëntor 2026, 13:53Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
E BUJSHME/ SHBA i propozon Ukrainës të lëshojë Donbasin,
Volodymyr Zelensky

Për të parën herë, Shtetet e Bashkuara kanë përmendur mundësinë e tërheqjes së Ukrainës nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO: Pohimi vjen nga vetë presidenti Volodymyr Zelensky, i cili theksoi megjithatë se çdo propozim konkret do t’i nënshtrohet vendimmarrjes së qytetarëve ukrainas.

Zelensky deklaroi se një marrëveshje e tillë mund të shqyrtohet vetëm nëse shoqërohet me garanci të forta dhe të detyrueshme sigurie nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s. Këto garanci, sipas tij, duhet të përfshijnë mbrojtje të nivelit të Nenit 5 të Traktatit të NATO-s, mbështetje ushtarake dhe financim për rindërtimin e vendit pas luftës. Megjithatë, presidenti ukrainas ishte kategorik në një pikë: Ukraina nuk do t’i njohë ligjërisht territoret e pushtuara si pjesë të Federatës Ruse.

“Do t’i kërkoj mendimin shoqërisë sonë: a e pranojmë apo jo?”, deklaroi Zelensky, duke nënvizuar se nuk mund të marrë një vendim të tillë vetëm në cilësinë e presidentit. Ndërkohë, në tryezën e negociatave po diskutohen edhe alternativa të tjera për sigurinë e Ukrainës, përfshirë marrëveshje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara, të ngjashme me angazhimet amerikane ndaj Izraelit. Këto mund të përfshijnë praninë e forcave amerikane, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe mbështetje ushtarake të vazhdueshme.

Zelensky shprehu gjithashtu dyshime për qëllimet e Moskës, duke paralajmëruar negociatorët amerikanë se Vladimir Putin nuk mund të besohet dhe se Kremlini mund të jetë duke përdorur procesin diplomatik për të zvarritur përfundimin e luftës. Deklaratat vijnë pas raundit të dytë të bisedimeve trepalëshe të ndërmjetësuara nga Uashingtoni, të zhvilluara më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dhabi.

Për momentin, një marrëveshje konkrete nuk është bërë publike. Por fakti që çështja e Donbasit dhe anëtarësimit të Ukrainës në NATO po diskutohen së bashku, sinjalizon se negociatat kanë hyrë në një fazë delikate, ku në tryezë janë edhe çështjet më të vështira të konfliktit: territori, siguria dhe e ardhmja e Ukrainës.


Video