
Pritshmëritë e qytetarëve dhe bizneseve se euro do të rifitonte terren ndaj lekut pas përfundimit të sezonit turistik u reflektuan te depozitat e tyre nëpër banka. Deri në fund të muajit tetor, depozitat në monedhën vendase patën një rritje modeste dhe thuajse të njëjtë me të njëjtat periudha të viteve të kaluara.
Por, të dhënat e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se në nëntor, qytetarët humbën besimin se Euro do të rikthehej në nivelet që ishte para muajit shkurt të këtij viti u venitën. Të dhënat tregojnë se shqiptarët preferuan më shumë kursimet në lekë, se sa në euro.
Në nëntor, depozitat në lekë u rritën me 17 miliardë, duke shkuar në 564 miliardë në total, me një rritje me 3 për qind më shumë në krahasim me muajin tetor, ndërsa depozitat në euro u rritën me vetëm 22 milionë. Rritja e depozitave në lekë është më e larta, të paktën që prej muajit dhjetor 2021.
Kursimet më të larta në lek janë nga kompanitë, ashtu edhe nga individët, nxitur edhe nga rritja e normave të interesit për depozitat nga ana e bankave të nivelit të dytë, si reflektim i politikave monetare të Bankës së Shqipërisë.