Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka zhvilluar sonte ceremoninë e CCIT Awards në Teatrin e Operas dhe Baletit. Gjatë ceremonisë, me çmim u nderua edhe Blendi Gonxhe, si Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Tashmë, edhe falë punës së mirë në DPSHTRR, Gonxhe u emërua nga kryeministri Edi Rama si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Gonxhe falënderoi Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë për vlerësimin dhe bëri shaka duke thënë se uron që çmimin mos t’ia kenë dhënë ngaqë është bërë ministër.
Motivacioni i ccmimit për Blendi Gonxhen nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë:
“SHËRBIMI MË I MIRË PUBLIK”
Përgjatë vitit 2023, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka realizuar me sukses një sërë nismash me impakt domethënës në lehtësimin dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, investime në infrastrukturat e shërbimit sipas standardeve ndërkombëtare, digjitalizimin e shërbimeve dhe organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese automotive.
Disa shifra domethënëse që dëshmojnë transformimin epokal të shërbimeve në harkun kohor 5-vjeçar referuar impaktit direkt te qytetari:
· 1,481 qytetarë të shërbyer/orë ose +59% krahasuar me vitin 2018!
· -30% ulja e kohës mesatare për marrjen e një shërbimi krahasuar me 2018!
· -16% ulja e kostos mesatare të një shërbimi krahasuar me vitin 2018!
· 1,000,042 shërbime/aplikime janë ofruar online nga sistemet e DPSHTRR përmes e-Albania, rritur me 2,150% më shumë se viti 2018 ose 22,5 herë më shumë!
· 51 shërbime në e-Albania nga 4 shërbime më 2018 (+ 1,175%)!
· 441,414 ditë pune kursyer 1,186,023 qytetarëve!
· 33,305,150 km rrugë të eliminuara (min 50 km vajtje-ardhje/shërbim)!
· 2,331,361 litra karburant të kursyera (min 7 lt/100 km rrugë/shërbim), dhe më pak ndotje ambientale e ngarkesë trafiku!
· Eliminuar qytetarëve: 768,127 ardhje në sportel!
Vetëm në vitin 2023, qytetarëve iu janë kursyer në 35 milionë euro nga lehtësimi i kostove të shërbimeve, ulja ose eliminimi i tarifave, zgjatja e afateve të vlefshmërisë dhe heqja e shumë praktikave, si dhe nga kursimet e tjera direkte (rruga vajtje-ardhje, karburanti, kohë/ditë pune kursyer, etj.)!
Të gjitha këto lehtësime të ndërmarra në interesin publik të qytetarëve dhe subjekteve, janë realizuar falë:
· riinxhinierimit të shërbimeve nëpërmjet investimit strukturor e teknologjik, si edhe përmes krijimin e sistemeve të reja
· modernizimit të infrastrukturës fizike dhe revolucionit digjital
· thjeshtimit dhe lehtësimit të praktikave
· zgjatjeve të vlefshmërisë së dokumenteve dhe eliminimit të shumë burokracive.