Rindërtimi pas tërmetit të vitit 2019, është shfrytëzuar 25 përqind e fondit

26 June 2024, 12:32Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rindërtimi pas tërmetit të vitit 2019, është

Nga “asnjë gjurmë nga tërmeti” te “të gjithë në shtëpi të reja”, herë me afate “brenda pranverës” apo “jo më larg se vjeshta”... katër vite e gjysmë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, procesi i rindërtimit vijon.

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se deri në fund të majit, nga buxheti i shtetit dolën 1.8 miliardë lekë, kryesisht për rindërtimin e pallateve. Në krahasim me periudhën janar-maj të viteve 2021, 2022 dhe 2023 fondi për tërmetin ka ardhur në ule duke treguar se pjesa më e madhe e punimeve të nevojshme ka përfunduar.

Të dhënat tregojnë se nga viti 2020 e deri më ë tani kanë dalë nga buxheti i shtetit 92.3 miliardë lekë, apo gati 900 milionë euro për rindërtimin dhe pagesat e qirasë për ata që humbën banesat. Shuma e lartë u detyrua të dalë nga buxheti i shtetit pasi një pjesë e mirë e fondeve të premtuara në “Konferencën e Donatorëve” nuk u arritën të merreshin.

Të dhënat nga “Financat” tregojnë se në total këtë vit janë planifikuar të shpenzohen 7 miliardë lekë për rindërtimin. Deri tani është përdorur 25.7 për qind e fondit në dispozicion.

Që nga viti 2020, kur nisi procesi e deri më tani rezulton të jenë rindërtuar në total 2 mijë e 250 banesa individuale dhe 4 mijë e 500 apartamente. Deri në fund të vitit planifikohet të përmbyllen punimet edhe në 105 pallate në ndërtim për të shënjuar kështu fundin e “Rindërtimit pas tërmetit.”


Video