Remitancat, rekord historik, BSH: Emigrantët dërguan pranë familjeve 268 milionë euro

10 September 2024, 14:41Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Remitancat, rekord historik, BSH: Emigrantët dërguan pranë

Emigrantët shqiptarë dërguan rreth 268 milionë euro përgjatë 3-mujorit të dytë të vitit, çka përbën edhe shifrën më të lartë që nga viti 2008, kur nisën llogaritjet e Bankës së Shqipërisë. Të dhënat tregojnë se në raport me të njëjtën periudhë të një vitit më parë remitancat u zgjeruan me 38.5 mln euro. Rritja e kostove të jetesës në vend, pagat dhe pensionet e ulëta në krahasim me rajonin duket se nxisin emigrantët për të dërguar gjithnjë e më shumë para’ për familjet e tyre në atdhe.

Deri tani, gjatë gjysmës së vitit familjet shqiptare morën në total 509 milionë euro nga familjarët që jetojnë në kurbet. Remitancat në këtë mënyrë po ndikojnë gjithnjë e më shumë në jetën socio-ekonomike në vend.

Ato janë burimi i vetëm financiar për gati 1/3 e familjeve shqiptare, duke mbajtur gjallë konsumin përmes përfshirjes financiare të popullatës, por duke dekurajuar punësimin. Ndonëse në valutë niveli i remitancave gjatë 2022-shit është i përafërt me atë të vitit 2008, nuk mund të thuhet e njëjta nëse ato kthehen në lekë.

Nga ana tjetër një shtysë për rritjen e remitancave në vend duket se ka luajtur dhe monedha europiane, pasi zhvlerësimi  saj në tregun e brendshëm valuator gjatë këtij sezoni veror nën nivelin e 100 lekëve bëjnë që familjet shqiptare të përfitojnë më pak nga paratë e dërguara nga të afërmit e tyre në emigrim.


Video