BSH paralajmëroi rrezikun e huadhënies, por kredia për shtëpi vijon rritjen

10 September 2024, 11:50Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

BSH paralajmëroi rrezikun e huadhënies, por kredia për

Kredia për shtëpi vijoi rritjen vjetore edhe gjatë muajit Korrik, edhe pas sinjaleve të Bankës së Shqipërisë se huadhënia, veçanërisht në këtë segment, mund të ketë nevojë të ngadalësohet.

Sipas statistikave të Bankës Qendrore, gjatë muajit korrik bankat dhanë rreth 4.1 miliardë lekë kredi të re për të financuar blerjen e pronave nga familjet. Kredia e re u rrit me 50% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Për shtatë muajt e parë të vitit, kredia e re për shtëpi arriti rekordin historik prej 31.6 miliardë lekësh, në rritje me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja vazhdon të mbështetet sidomos tek zgjerimi shumë i shpejtë i kredisë në lekë. Për 7-mujorin 2024, kredia e re në monedhën vendase është rritur me 77% krahasuar me 7-mujorin e vitit të kaluar. Kredia në lekë përbënte afërsisht 74% të vlerës së kredisë së re për shtëpi të disbursuar këtë vit.

Normat e ulëta të interesit besohet se kanë pasur një ndikim të konsiderueshëm në zhvendosjen e kreditimit për shtëpi drejt lekut.

Jo vetëm kreditë e reja janë dhënë më shumë në lekë, por një pjesë e mirë e kredive ekzistuese në valutë janë konvertuar në monedhën vendase, për të përfituar nga normat më të ulëta të interesit, por edhe nga kursi i favorshëm i këmbimit.

Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në lekë për muajin qershor zbriti në 4.57%, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë shënonte nivelin 5.22%. Norma mesatare e interesit e portofolit të kredisë për shtëpi në lekë ka prekur nivelin më të ulët që prej fundit të vitit 2022.

Ndërkohë, kredia në euro po bie ritme të shpejta dhe u tkurr me 40% për shtatë muajt e parë të këtij viti.

Kredia e dhënë nga sektori bankar vazhdon të jetë një mbështetje thelbësore për kërkesën në tregun e pasurive të paluajtshme. Sipas rezultateve të vrojtimit për tregun e pasurive të paluajtshme, të kryer nga Banka e Shqipërisë, pesha e pronave të blera me hua bankare në 6-mujorin e dytë të vitit të kaluar arriti në 60%, nga 40% që kishte qenë në 6-mujorin e parë të vitit.

Rritja e shpejtë e kredisë në përgjithësi dhe e asaj për blerjen e pasurive të paluajtshme në veçanti duket se ka arritur pikën kur ajo vlerësohet se mund të përfaqësojë rrezik të shtuar për sektorin financiar.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në janar i sugjeroi Bankës së Shqipërisë vendosjen e një shtese kundërciklike kapitali për sektorin bankar. Sugjerimet për aplikimin e një norme kundërciklike lidheshin kryesisht tek zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të kredisë së dhënë nga bankat për financimin e blerjes së tyre.

 


Video