
Sipërmarrësit që importojnë, eksportojnë, magazinojnë, hedhin në treg apo mirëmbajnë pajisje që përmbajnë gaze me efekt serrë të fluoruara do të duhet të licencohen për të ushtruar aktivitetin. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik projektvendimin, ku përcaktohet dokumentacioni i nevojshëm për pajisjen me licencë të këtyre sipërmarrësve, të cilët do të kenë detyrime shtesë edhe në drejtim të raportimit për pajisjet që fusin në territorin shqiptar.
Gazet e fluoruara janë gaze me efekt serrë dhe kanë ndikim të lartë negativ në ngrohjen globale, teksa Shqipëria është angazhuar në reduktimin e tyre. Këto gaze përdoren kryesisht në qarqet ftohës të frigoriferëve, pajisjet e ajrit të kondicionuar, pompat e nxehtësisë dhe sistemet e mbrojtjes nga zjarri.
Sipas relacionit shoqërues të projektvendimit, nëpërmjet pajisjes me licencë të posaçme do të kenë mundësi të importojnë gaze apo pajisje që funksionojnë me këto gaze vetëm sipërmarrësit e regjistruar.
Kjo do të ndihmojë ministrinë përgjegjëse për mjedisin, autoritetet doganore apo inspektoratin përgjegjës për mjedisin të monitorojnë sasinë e importuar të gazeve të fluoruara apo pajisjeve që funksionojnë me këto gaze, sipas kuotës vjetore, si dhe të gjurmojnë sasinë e shpërndarë në tregun vendas.
Gjithashtu, licencimi i posaçëm parashikohet të ndikojë në ndalimin e importit të pajisjeve, që nxirren nga tregu i Bashkimit Evropian e që shpesh herë vendi ynë është pritës.
Sipas ligjit të miratuar vitin e kaluar do të duhet të përcaktohet një kuotë vjetore për sasinë e lejuar për t’u importuar të këtyre pajisjeve, ndërkohë që parashikohen edhe gjoba, në rast të shkeljes së detyrimeve.