
Prej vitesh, klinikat private të ndërhyrjeve kirurgjikale nuk e njohin fjalën krizë. Kërkesa për ndërhyrje plastike vijon të jetë e lartë edhe në vitin 2022, sipas operatorëve kryesorë në vend.
Tregu është në zgjerim, për shkak të shtimit të numrit të klinikave dhe spitaleve që kryejnë ndërhyrjet kirurgjikale estetike.
Në Shqipëri, gratë janë ato që nxisin më tepër kërkesën e lartë për procedura kirurgjikale, ku rimodelimi i gjoksit dhe trupit për heqjen e dhjamit janë ndër operacionet më të kërkuara. Te meshkujt, kërkesa më e lartë është për rinoplastikë.
Ashtu si tendenca globale, edhe në Shqipëri, ndërhyrjet kirurgjikale janë më të kërkuara nga grupmosha nga 18 deri në 34 vjeç.
Në Shqipëri, operacionet plastike po kryhen kryesisht nga shtetasit e huaj që, për disa klinika, zënë deri në 60% të kërkesës dhe emigrantët shqiptarë, për shkak të çmimeve të leverdishme që ofrohen.
Spanja renditet e para në botë për numrin më të lartë të pacientëve të huaj që kërkojnë të bëjnë ndërhyrje kirurgjikale, më pas SHBA dhe Brazili, sipas të dhënave të Shoqatës Ndërkombëtare të Estetikës dhe Kirurgjisë Plastike (ISAPS).
Klinikat private të kirurgjisë plastike patën bum kërkesash edhe në vitin 2020, pas rihapjes së ekonomisë nga karantina e mars-majit.
Kërkesa ishte e lartë, sidomos për vendosjen e balonit gastrik që pati rritje deri në 15% sipas operatorëve të tregut. Fluks të lartë të kërkesës pati edhe për heqjen e dhjamit të trupit, rimodelimin e hundës dhe mbjelljes të flokëve.
Në verën e vitit 2020, 90% e operacioneve plastike kryheshin nga vendasit dhe 10% e zinin shtetasit e huaj apo emigrantët, për shkak të pamundësisë për të lëvizur nga kufizimet e pandemisë së Covid-19.
Çmimet më të lira se vendet e huaja kanë rritur kërkesën
Arsyeja kryesore se pse të huajt zgjedhin Shqipërinë për kirurgjinë plastike, sipas doktoreshë Lida Hoxha, është çmimi i ulët, duke i shtuar edhe rritjen e standardeve të shërbimit. Klinikat më të njohura në Shqipëri kanë të punësuar një numër të madh mjekësh nga Italia dhe Turqia.
Çmimet më të lira se vendet e tjera mbeten arsyeja kryesore e rritjes së kërkesës edhe për operacionet e rinoplastikës.
“Turizmi mjekësor në vend po arrin në nivelet e Turqisë. Përvoja mjekësore e klinikave shqiptare dhe rezultatet shumë të mira te ndërhyrjet kirurgjikale është një tjetër arsye pse të huajt zgjedhin Shqipërinë”.
Ndërhyrjet më të shpeshta
Procedurat kirurgjikale më të shpeshta në mbarë botën mbetën të njëjta edhe gjatë vitit 2021, sipas të dhënave të Shoqatës Ndërkombëtare të Estetikës dhe Kirurgjisë Plastike (ISAPS).
Zmadhimi i gjoksit përbënte 16% të të gjitha procedurave, liposuksioni (heqja e dhjamit) 15,1%, kirurgjia e qepallave 12,1%, rinoplastika 8,4% dhe abdominoplastika (rimodelimi i barkut) 7,6%.
Studimi i Shoqatës analizon të dhënat për 10 vendet me numrin më të madh të ndërhyrjeve kirurgjikale në botë, si: SHBA, Brazili, Gjermania, Japonia, Turqia, Meksika, Argjentina, Italia, Rusia dhe India.
Te femrat, nga 5,2 milionë ndërhyrje të kryera në vitin 2020, rreth 30% e tyre ishte për gjoksin, 20% ishte liposuksioni, 19% kirurgjia e qepallave, 17% rinoplastika dhe 14% abdominoplastika.
Sipas studimit të ISAPS, te femrat 43,3% kanë pohuar se arsyeja e ndërhyrjes është kozmetike, 18,1% e tyre kanë kryer ndërhyrje për asimetri dhe pjesa e mbetur, për të tjera arsye.
Në botë, procedurat kirurgjikale më të zakonshme tek meshkujt vijuan të jenë kirurgjia e qepallave, duke zënë 26% të totalit të ndërhyrjeve, liposuksioni zë 23%, gjinekomastia e meshkujve 22%, rinoplastika 21% dhe operacioni i veshit, 8%.
Qasja është e njëjtë edhe në Shqipëri. Zmadhimi i gjoksit, heqja e dhjamit të tepërt, apo siç njihet në gjuhën mjekësore, liposuksioni, dhe rinoplastika mbeten ndër ndërhyrjet kirurgjikale më të kërkuara.
Për vitin 2020, një nga shërbimet që u përdor më shumë në klinikat e ndërhyrjeve kirurgjikale plastike ishte vendosja e balonit gastrik, për shkak të frikës së njerëzve obezë nga infektimet e Covid-19.
Grupmosha më e plastikuar
Ashtu si edhe në 10 shtetet më të famshme në botë për numrin e lartë të ndërhyrjeve estetike, edhe në Shqipëri, çuditërisht janë moshat e reja ato që kryejnë më shumë operacione plastike.
Duke parë shpërndarjen e moshës për procedura të ndryshme, sipas studimit të ISAPS, grupmosha 19-34 vjeç përbën përqindjen më të lartë të atyre që u nënshtrohen rinoplastikës (67,9%) ndërsa moshat 35-50 vjeç përbënin shumicën për procedurat e balonit të stomakut (50,2%).
Tendenca është e njëjtë edhe në Shqipëri.
Kirurgjia plastike po evoluon sipas modelit të turizmit mjekësor
Fluksi i lartë i kërkesës nga shtetas të huaj ka bërë që shumë klinika private në vend ta zhvillojnë biznesin në modelin e turizmit mjekësor.
Çmimi për rimodelimin e hundës në Shqipëri është deri në 50% më lirë se në Europë. Për një operacion të thjeshtë hunde, çmimi varion nga 1,600 deri në 1,800 euro, ndërsa në Greqi, ky lloj operacioni kushton 3,300 deri në 3,500 euro.
“Për këtë vit, 30% të kërkesës e zënë operacionet nga shtetas të huaj që kërkojnë të ribëjnë ndërhyrjen që e kanë bërë më parë në një klinikë të huaj.
Jashtë, operacioni kushton nga 10,000, 12,000 deri në 15,000 euro. Te ne kushton 2,500 euro. Tregu ynë është më i lirë në çmime.” Një tjetër klinikë pohoi se çmimi i operacionit të hundës varionte nga 2,200 deri në 2,400 euro.
Si kanë ndryshuar çmimet për operacionet plastike?
Çmimet e lira mbeten “arma” më e fortë e klinikave shqiptare për të thithur pacientë që jetojnë jashtë. Kjo ka bërë që disa klinika të mbajnë të pandryshuara çmimet prej vitesh, edhe pse këtë vit po përballen me shtim të kostove nga shtrenjtimi i lëndëve mjekësore.
Në vitin 2020, pas rihapjes së ekonomisë, strategjia e ndjekur nga klinikat private favorizonte njerëzit, me qëllim që të mos ndiheshin e efektet e Covid-19, duke ulur çmimet 10 deri në 25%.
Kërkesa në botë për operacione plastike
Për vitin 2020, numri i operacioneve plastike në botë ra 23% krahasuar me 2019, për shkak të pandemisë. Operacionet për rimodelimin e gjoksit ranë 10%, liposuksioni 10%, i qepallave ra 3%, abdominoplastika (rimodelimi i barkut) ra rreth 8% dhe rinoplastika, 6% sipas statistikave të Shoqatës Ndërkombëtare të Estetikës dhe Kirurgjisë Plastike.
SHBA renditet e para ndër 10 shtetet në botë për numrin e lartë të operacioneve plastike. Nga totali i operacioneve në rang global, 14,7% e tyre e zinte SHBA.
Më pas renditet Brazili me 12,9%, Rusia me 4,7%, Meksika 4,5%, Gjermania 4,2%, Turqia 3,6%, Argjentina 2,8%, India 2,5%, Italia 2,4% dhe e fundit në renditje është Japonia me 2,2%. Në këto shtete, për vitin 2020, janë kryer rreth 5 milionë operacione plastike nga 6,5 milionë që u kryen në 2019-n.
Në SHBA, ndërhyrja më e kërkuar është ajo për zmadhimin e gjoksit, duke zënë 25% të totalit të operacioneve plastike.
Në Brazil më i kërkuar është heqja e dhjamit, apo siç njihet në gjuhën mjekësore liposuksioni duke zënë 13,3% të operacioneve, në Gjermani gjithashtu më i kërkuari mbetet liposuksioni me 18,2%, në Japoni më e kërkuara është kirurgjia e qepallave me 64,6%, në Turqi rinoplastika me 18,6%, në Meksikë, liposuksioni duke zënë 16,2% të operacioneve plastike, në Argjentinë rreth 20% të kërkesës për ndërhyrje dominohet nga operacioni i gjoksit.
Edhe në Itali, kërkesa më e lartë është për operacionin e gjoksit me 16% të totalit të ndërhyrjeve. Në Spanjë, 26,8% të ndërhyrjeve bëhen në gjoks, në Greqi 14,6% e ndërhyrjeve bëhet për qepallat.
Pesë procedurat kryesore jokirurgjikale më të kërkuara janë toksina botulinum (botoks stomaku, 43,2% e të gjithëve procedurave jokirurgjikale), acidi hialuronik (28,1%), heqja e qimeve (12,8%), reduktimi jokirurgjikal i yndyrës (3,9%) dhe përtëritje fotografike (3,6%). Rreth 85% e procedurave jokirurgjikale janë kryer në femrat.