Ervin Hajdaraga e nisi biznesin e kërmijve më pak se një dekadë më parë. E mendoi si një mundësi të mirë investimi, madje ende e sheh si të tillë, edhe pse ka hequr dorë nga ferma që zotëronte. Gjithsesi ai nuk e përjashton mundësinë e kthimit në të njëjtin sektor, por këtë herë, duke mësuar nga gabimet e së shkuarës që sipas tij, kanë të bëjnë me përzgjedhjen më të kujdesshme të llojit të kërmillit që do të rrisë, por edhe me alternativat e financimit.
Në një intervistë për “Monitor”, ai pohon se ky është një biznes i mirë dhe Shqipëria i ka të gjitha kushtet klimatike që mundësojnë zgjerimin e kësaj fushe, por duhet të krijohen lehtësi për tregun që përfshin edhe bashkimin e fermerëve të të njëjtit profil. Ndërkohë, interesi në tregjet e huaja mbetet i lartë.
“Prej thuajse një viti e gjysmë kemi hequr dorë nga aktiviteti të cilin e nisëm dhe e zhvilluam për më shumë se gjashtë vjet.
Pavarësisht se e kemi lënë mënjanë këtë aktivitet, përkohësisht, mendoj se ia vlen të angazhohesh në një fermë kërmilli. Sigurisht është një sektor me potencial dhe ka fitim. Por në fillim duhet të plotësohen disa kushte kyçe për mbarëvajtjen e një aktiviteti të tillë. Duhet të bëhen bashkë shumë elemente. Kryesore është bashkimi i fermave të ndryshme me vendimmarrje të përbashkët, kur vjen puna te grumbullimi apo rënia dakord me grumbulluesit për të mundësuar eksportin. Ka nevojë për investime të rëndësishme në frigoriferë gjithashtu” pohon ai.
Bie interesi për ferma të reja, shkak “zërat” e falimentimit
Stavri Lala zotëron një fermë kërmilli në Vilë Bashtovë, me sipërfaqe 12 dynymë. Ai e nisi aktivitetin ndër të parët në vend dhe nuk sheh ndonjë arsye për t’u dorëzuar.
Tregje si Franca, Italia, Gjermania, sipas z. Lala, kërkojnë vazhdimisht kërmill dhe ky është një produkt që përdoret në industri të ndryshme, duke e bërë një alternativë të leverdishme biznesi. Në vijim të fermës së parë, ai këtë vit hapi të dytën, me sipërfaqe 9 dynymë. Z. Lala shprehet se edhe fermerë të tjerë kanë interes dhe pyesin për këtë alternativë investimi, por shumica nuk guxojnë të hedhin hapa para. Kjo duket se ka të bëjë më shumë me “zërat” që qarkullojnë se është një biznes jo i leverdishëm.
“Pyesin shumë, por nuk ka hapa konkretë për të hapur ferma. Mendoj se janë të trembur nga ajo çfarë kanë dëgjuar për ata që kanë dështuar në këto sipërmarrje” – nënvizon ai. Për të pasur një fermë me leverdi, kusht kryesor, sipas z. Lala, është sipërfaqja, e cila nuk duhet të jetë më pak se 7 dynymë. Nëse janë të vogla, atëherë nuk ka leverdi dhe falimenton shpejt.
Ministria e Bujqësisë: Numri i fermave të kërmillit, në rënie
Disa vite më parë, numri i atyre që vendosën të investonin në një fermë kërmilli shënoi rritje të ndjeshme nën “joshjen” e një biznesi me fitim.
Por gjatë rrugës, jo pak u zhgënjyen duke e braktisur si aktivitet dhe sot, sasia e kultivuar mbetet modeste. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se numri i fermave është tashmë më pak se pesë dhe po shkon drejt uljes, ndërsa eksportet janë rreth 400 tonë.
“Kultivimi i kërmillit është i orientuar kryesisht nga eksporti. Vendi po prodhon 400 tonë kërmij. Ka pak fermerë që kultivojnë kërmij dhe shitja e tij bëhet me çmim 4 euro për kg. Rendimenti është 12 tonë për hektar. Operatorët janë nga Durrësi dhe Fieri. Edhe pse prodhimi i kërmillit ka disa nënprodukte, pjesa më e madhe janë kërmijtë e freskët. Aktualisht kultivimi është thuajse i papërfillshëm” – thuhet në dokumentin e Ministrisë.
Sipas të njëjtit studim, tregu i kërmijve është i orientuar kryesisht drejt eksportit të vjeljes së të egrit, ndërsa kultivimi aktualisht ndiqet nga dy operatorë. Tregu ka një vlerë të përafërt prej 400 mijë eurosh që eksportohet. Në terma të volumit, vlera e eksportit është në stanjacion. Pjesa kryesore e eksportit është drejt industrisë kozmetike, ndërsa një pjesë tjetër e prodhimit shitet edhe në tregun e brendshëm. Restorantet i kanë blerjet e tyre direkte për kërmij që nuk janë të kultivuar, por të mbledhur në natyrë. Sot nuk ekziston një treg i brendshëm për kërmijtë për qëllime joushqimore.
“Kultivimi i kërmillit ka nevoja për frigoriferë, rrjeta dhe struktura për fermat, makineri të vogla për përgatitjen e tokës. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, një pjesë e madhe e operatorëve të sektorit kanë mbyllur aktivitetin dhe numri i fermave është zvogëluar nga më shumë se 10 deri në më pak se 5” – thuhet në dokument.
Dokumenti sqaron se në rastin e kërmijve kërkohen pak investime përveç mbështetjes me ngritjen e kapaciteteve dhe informacionin për tregun. Gjithashtu kërkohet rritje e qëndrueshme në kapacitetin menaxhues dhe njohuritë teknike, si dhe mbështetje për rritjen e aksesit në tregje.
Arsyet pse fermat e kësaj natyre po pakësohen në vend
Nuk ka asnjë anketë të mirëfilltë për të kuptuar arsyet pse fermat e kërmillit që njohën rritje pak vite më parë po shkojnë drejt “zhdukjes”. Operatorë dhe ish-operatorë të tregut pohojnë se mund të jenë disa arsyet që kanë sjellë këtë rezultat.
Së pari, ata përmendin si shkak investimin e pamenduar mirë, gjë që do të thotë se kanë hyrë në treg, duke mos përzgjedhur me kujdes llojin e kërmillit, nuk kanë pasur njohuritë e duhura për rritjen dhe nuk kanë zbatuar teknologjinë me përpikëri ose sipërfaqja e fermës ka qenë relativisht e vogël.
Së dyti, është bërë e vështirë gjetja e punonjësve në përgjithësi në bujqësi dhe aq më tepër në një sektor delikat si ky.
Së treti, një shkak mund të jetë toka në të cilën është ngritur ferma. Një pjesë e atyre që i kanë hyrë këtij investimi janë emigrantë që kanë ngritur këtë aktivitet për të punësuar të afërmit por kanë hyrë në marrëdhënie me kontratë për tokën. Kjo kontratë mund të ketë mbaruar apo mund të kenë pasur probleme dhe kjo ka sjellë braktisjen e investimit.
Një tjetër arsye është mosorganizimi apo moskonsolidimi si grup interesi i fermerëve të këtij profili për të krijuar kushte lehtësuese në treg, të cilat lidhen me grumbullimin apo eksportet.
Materiali mësipër është përgatitur nga Nertila Maho/Monitor