
Të lënë vendlindjen për Bashkimin Europian është për shumë të rinj shqiptare e vetmja mundësi për një të ardhme më të mirë.
Me këto fjalë nis një reportazh i Euronews Italia në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 20 për qind e të rinjve janë të papunë, ndërsa përqindja efektive mund të jetë shumë herë më e lartë. Rroga mesatare në Shqipëri është rreth 460 euro në muaj.
Një vajzë pohon se ka pasur pak mundësi për një punë mesatarisht të mirë në vendlindje.
“Vitin e kaluar u diplomova në inxhinierinë agro-mjedisore dhe nuk gjej dot një punë që të lidhet me fushën e studimeve dhe diplomën time”, thotë Deni Çomora për Euronews.
Ajo tregon se prej dhjetë muajsh punon si koordinatore prodhimtarie në një televizion kombëtar dhe beson se do të gjejë një punë të përshtatshme me profilin arsimor që ka vetëm jashtë vendit.
Më shumë se 600 mijë persona kanë lënë Shqipërinë që prej vitit 2016, pjesa më e madhe e tyre të rinj. Emigrantët e ardhur nga vendet me të ardhura të ulta, si Bangladeshi, India dhe Pakistani janë ata që po gjejnë gjithnjë e më shumë punë në Shqipëri, sidomos në fasoneri ku paguhen me rrogën minimale prej më pak se 300 euro në muaj.
“Sa paguhem/ 12 dollarë në ditë. Më mirë të punoj këtu se sa në Indi. India është një vend i varfër. Më mungon familja ime, mamaja ime, vendi im”, thotë ajmer Bhyllar, emigrant indian në Shqipëri.
Bizneset janë në fasoneri kërkojnë punonjës me paga të ulta dhe qeveria shqiptare po i mbështet duke lehtësuar procedurat për punësimin e emigrantëve të huaj. Ekspertët theksojnë kontradiktën e këtij modeli ekonomik, të dominuar nga sektorë që kanë pak vlerë dhe ku punonjësit nuk kërkojnë ndonjë kualifikim të caktuar.
Kjo është arsyeja, sipas tyre, që të rinjtë shqiptarë të talentuar dhe ambiciozë po largohen nga vendi për të ndërtuar të ardhmen e tyre në një vend tjetër, kryesisht në Bashkimin Europian.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.