Historia tragjike e familjes Dema/ Pas arratisjes së vëllait, nëna Vasfia u torturua nga Sigurimi, duke e varur me kokë poshtë

29 Nëntor 2022, 09:20Histori SHKRUAR NGA MATTEO TACCONI

Jeta ime tragjike në ‘Gulagun’ shqiptar”, rrëfimi i Rudina Dema e bija e kolonel Hysni Dema, ish-Komandant i Xhandarmërisë në periudhën e Monarkisë së Zogut dhe pushtimit të vendit, i cili me ardhjen e komunistëve në pushtet, u detyrua të arratisej nga Shqipëria dhe familja e tij, bashkëshortja, Vasfie, me vajzat, Tefta, Vera dhe Rudina e dy djemtë, Sazani dhe Aliu, vuajtën persekutimin e gjatë në internime, deri në vitin 1991-

Në një pirg të madh dheu dhe bari të verdhë, të thatë, të djegur nga dielli, hapet përpara porta e hyrjes, është e gjitha e ndryshkur dhe pak përtej ka dy ndërtesa, që po shemben. Në anët e saj qëndrojnë disa ndërtesa, gjithashtu të zhveshura nga koha. Ato nuk kanë më dyer apo dritare. vetëm ca copa tullash brenda. Kështu shfaqet kampi i përqendrimit të Tepelenës, në jug të Shqipërisë. Në këto rrënoja, të ndërtuara nga ushtria italiane, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Regjimi komunist shqiptar, mbylli qindra familje midis viteve 1949 dhe 1954: nëna, vëllezër, gra dhe fëmijë, të urryer nga Enver Hoxha, diktatori i Tiranës.

Të burgosurit ishin vendosur në dhoma të mëdha të përbashkëta. Ata flinin në dërrasa të forta prej druri në të nxehtin e verës, e të ftohtin e dimrit. Puna e detyruar ishte një masakër. “Ne ngjitshim malet prapa kampit, sharruam pemët, ngarkuam dru në shpinë, tufa të rënda për gratë, trungje të mëdhenj për burrat dhe i çonim përsëri në kamp. Kushtet e pasigurta higjienike dhe ushqimi i varfër, shtonin vështirësitë. Shumë të burgosur humbën jetën. Treqind fëmijë, që nuk ia dolën”, tregon Rudina.

Një memorial i vogël me gurë të bardhë, në mes të gjelbërimit, sikur bën homazhe për viktimat. Kampi u shpërbë pasi Kombet e Bashkuara, denoncuan kushtet ç’njerëzore për më shumë se tre mijë të burgosurit. Pasi dolën nga ky kamp, fati i tyre nuk ndryshoi. Ato vazhduan të shfrytëzoheshin në fusha të tjera, veçanërisht në ato rreth qytetit të Lushnjës në Shqipërinë e Mesme.

Rudina Dema, e lindur në vitin 1945, arriti t’i mbijetojë ferrit të Tepelenës. Ajo hyri në kamp në vitin 1949, duke qëndruar atje për dy vjet.

Kujtimet e asaj përvoje janë të zbehta, megjithatë disa episode janë të fiksuara mirë në kokë. “U rreshtuam me një filxhan në dorë, si në filmat për hebrenjtë në kampet e përqendrimit. I mbushën ato filxhan me supë gruri të fortë. Ndonjëherë gjenim krimba atje”, kujton ajo.

Dhe më pas tregon për marrëdhëniet me fëmijët e tjerë në kamp: “Bëmë topa balte dhe ia hidhnim njëri-tjetrit. Në kazermë flinim pranë njëri-tjetrit, të ngjeshur fort si sardelet”.

Rudinën e takova më 30 gusht 2017, gjatë një përkujtimi të organizuar në Tepelenë, nga ‘Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991’, agjencia qeveritare që, që nga viti 2016, është thelluar në historinë represive të regjimit më paranojak dhe më të dhunshëm në Evropën komuniste.

Ai regjim dënoi qindra njerëz me vdekje dhe mbuloi territorin me kampe dhe burgje të punës së detyruar, si dhe ngriti një aparat sigurimi dhe represioni, Sigurimi ishte bazuar në një rrjet gjigant bashkëpunëtorësh. Të gjithë spiunuan të gjithë; kaq shumë skelete në dollap.

Kujtesa, për këtë arsye, ka mbetur një çështje e ndjeshme edhe pas përfundimit të komunizmit në vitin 1991. Viktimat e regjimit kanë mbetur të margjinalizuar, duke mbajtur gjithçka brenda. Vetëm tani ata mund të fillojnë të tregojnë publikisht vuajtjet e tyre.

Ato të Rudina Demës, nuk kufizohen vetëm në Tepelenë, ku ajo kaloi një pjesë të gjatë të jetës së saj në kampe të punës së detyruar ose në provë. Në vitin 1985, kur diktatori Hoxha vdiq dhe konteksti politik u bë më pak i ngurtë, Ramiz Alia, pasardhësi, përgatiti disa reforma hapje ndaj botës së jashtme, por tepë të kufizuara. Megjithatë, Rudina vazhdoi të rrinte me frikë, se regjimi mund të kthehej sërish kundër saj.

Kështu në vitin 1991, kur nisën zbarkimet e mëdha të shqiptarëve për në Itali, në fillim të marsit ajo me burrin e saj Haxhiun dhe vajzën trevjeçare Megi, hipi në një nga anijet e mallrave, të cilat u nisën nga Durrësi për në Brindisi.

Komunizmi shqiptar ishte në kolaps dhe pikërisht qeveria e Tiranës, nuk kontrollonte më asgjë për këtë. Por Rudina mendonte se regjimi në fuqi, do të ishte në gjendje të rivendoste rendin dhe ndoshta, të shkaktonte një valë arrestimesh. Italia ishte një mundësi për të filluar nga e para dhe ajo donte ta shfrytëzonte atë rast.

Pak muaj pas zbarkimit, sërish në vitin 1991, Rudina, Haxhiu dhe Megi, u vendosën në Rieti. Ato nuk kanë lëvizur kurrë nga aty. Sot ato jetojnë në një banesë sociale modeste. Me ta është edhe Tommaso, djali që Megi kishte lindur dhjetë vjet më parë.

Në Tepelenë, Rudina më kishte përmbledhur shkurtimisht historinë e saj, duke përmendur kthesat historiko-politike të Shqipërisë komuniste, të cilat nuk isha në gjendje t’i kuptoja plotësisht, duke mos pasur njohuri të mjaftueshme për to.

Megjithatë, forca e fjalëve dhe e syve të saj, pak të trishtuar, por shumë depërtuese, më kishin bindur se kjo histori meritonte të dëgjohej. Dhe kështu shkova në Rieti, dy herë, për ta kuptuar dhe kornizuar më mirë.

Rudina është një nga pesë fëmijët e Hysni Demës, ish-kolonelit të ushtrisë së Zogut, Mbretit të Shqipërisë. Kur në vitin 1939 Italia fashiste e pushtoi Shqipërinë, kolonel Dema u internua në Toskanë të Italisë. Ai u kthye në atdheun e tij në vitin 1942 dhe mori role të rëndësishme në ‘Ballin Kombëtar’, organizatën nacionaliste e cila duke krijuar një aleancë taktike me pushtuesin nazist, që zëvendësoi atë italian në vitin 1943, u përpoq të pengonte partizanët e Enver Hoxhës të merrnin pushtetin.

Përpjekje e dështuar. Hoxha çliroi Shqipërinë në vitin 1944, duke u vendosur si autokrat. Dema fillimisht u fsheh, duke arritur më pas të arratisej nga vendi dhe të strehohej në Greqi, ku vdiq në rrethana ende të paqarta, në vitin 1954.

“Nëna ime ishte shtatzënë me mua, kur babai im, iku. Nuk e kam njohur dhe nuk e kam idenë se çfarë është dashuria atërore. Kur dëgjoj Megin, që i drejtohet Haxhiut si baba, mendoj: “Po çfarë do të thotë kjo? Çfarë do të thotë?” U zemërova shumë me atë baba, që nuk e pashë kurrë, .

Kam pasur një jetë të dhimbshme, pa lodra, pa përralla, pa liri. I thosha mamasë sime, Vasfies, se një baba i mirë, nuk duhet të lërë kurrë vetëm gruan dhe fëmijët. Ajo u acarua, më gjuajti me një shapkë dhe bërtiti: “Nuk të vjen turp?”

Hysni Dema është “barrë” i Rudinës, nënës dhe vëllezërve të saj, të gjithë më të mëdhenj se ajo: Tefta (1927), Vera (1930), Aliu (1933) dhe Sazani (1935). Në Shqipërinë e Enver Hoxhës, një “armik i popullit”, një “komplotist”, infektoi të gjithë familjen me statusin e tij.

“Pasi morën pushtetin, komunistët trokitën në derën e shtëpisë sonë të madhe në Tiranë, e kërkuan të na nxirrnin jashtë. Ajo shkoi me Verën, Aliun dhe Sazanin, në shtëpinë e Teftës dhe bashkëshortit të saj Shaqir Muça. Unë kam lindur atje, më 20 shkurt 1945”, kujton Rudina.

Pak muaj pas lindjes së Rudinës, familja Dema u transferuan në një kamp pune të detyruar në Berat. Jeta e tyre e mëparshme, e qetë dhe e rehatshme, nuk do të kthehej më kurrë. “Na ngarkuan në kamion si shalqinj dhe na morën. E kursyen Teftën, vetëm se ishte e martuar dhe nuk figuronte më në bërthamën tonë familjare”, tregon Rudina.

Gjatë tre viteve të ardhshme, Vasfia dhe fëmijët e saj u zhvendosën në kampe të ndryshme: Porto Palermo, Katër-Rrugët e Shijakut, një vend afër Durrësit dhe Krujës.

Më pas në vitin 1949 erdhën në Tepelenë. Një botë e ndarë, e tmerrshme. Tefta nuk mund t’i vizitonte më si në kampet ku ata kishin qenë më parë, kjo gjë ishte e pa mundur në këtë kamp. Nga takimet e munguara me të, Rudina ka një kujtesë të mirë. Nga fëmijët që vdiqën në kamp, ??megjithatë, jo: “Kam dëgjuar vetëm të qarat e dëshpëruara të nënave”, shprehet ajo.

Në fillim të vitit 1951, regjimi komunist i Hoxhës vendosi të lirojë të gjithë fëmijët e Tepelenës, plus disa të burgosur jo aq shumë “të ndotur” politikisht. Rudina u largua nga kampi; familjarët e saj qëndruan aty.

“Mami më besoi në një familje në Krujë, mes të liruarve nga burgu. Ishin ditët e para të marsit. Na detyruan të hipnim në kamionë ushtarakë dhe na çuan në Tiranë. Arritëm natën, ishte shumë ftohtë dhe binte shi.

Na çuan në Sheshin “Skënderbej”, pikërisht në qendër dhe na shkarkuan para xhamisë. Fjetëm përpara xhamisë, nën strehën e sajë. Herët në mëngjes erdhi Imami dhe i zoti i familjes nga Kruja, pra kryefamiljari, më vjen turp t;ju them, por emrin nuk e mbaj mend, i shpjegoi se kush isha, duke i kërkuar të më çonte te Tefta”. Kleriku mysliman e siguroi se ai do të bënte maksimumin, por së pari duhej të recitonte lutjet. Pasi mbaroi, ai dhe Rudina shkuan në pazarin, që në atë kohë mbahej në njërën anë të sheshit. Ai u ndal në tezgën e një tregtari, që shiste kapele. Ai kishte qenë fqinj i Demave dhe i njihte shumë mirë. Imami i përshkroi situatën dhe ai nxori të birin të gjente Teftën. “Ndërsa prisnim, më dha një filxhan qumësht me pak bukë. E hëngra e uritur, si bishë, isha aq e uritur”, kujton Rudina. Pak më vonë erdhi Tefta dhe Rudina i’u hodh në krahë. “Motra më çoi menjëherë te një berber, për të prerë flokët: që ishin plot me morra”.

Dy motrat u bashkuan, por për Teftën ai gëzim nuk mund të ishte absolut. Ajo po kalonte kohë shumë të vështira. Vetëm pak ditë para ardhjes së Rudinës, më saktë më 1 mars, Leone Cieno, inxhinieri italian me të cilin ishte lidhur pas përfundimit të parakohshëm, të martesës me Shaqir Muçën, ishte dëbuar në Itali. Ai mbërriti në Shqipëri gjatë pushtimit fashist.

Pas luftës mbeti: nevojiteshin teknikë të mirë për rindërtimin. Jeta e tij ndryshoi më 19 shkurt 1951, ditën kur shpërtheu një bombë në oborrin e ambasadës sovjetike: skena me të cilën regjimi nisi një spastrim të ashpër, kundër intelektualëve dhe banorëve italianë, të gjithë të akuzuar, se ishin në shërbim të imperializmit perëndimor. Cienon e nxorën jashtë dhe Tefta mbeti vetëm, tetë muajshe shtatzënë. Më 31 mars lindi një djalë. Ai quhej Pierino.

Për disa vitesh Leone dhe Tefta mbanin një letërkëmbim. Ajo i dërgoi foto të Pierinos duke u rritur; kurse ai i dërgoi disa para. Më pas Shqipëria zgjodhi rrugën e izolimit total dhe çdo komunikim me botën e jashtme u ndalua. Leone nuk dëgjoi asgjë më shumë për Teftën dhe Pierinon.

Ai nuk i harroi, por rindërtoi jetën në Sardenjë, duke u martuar me një grua tjetër. Pierino u rrit pa baba, si Rudina. “Ai e ka njohur të atin vetëm në vitin 1990, duke shkuar për herë të parë në Itali, përpara se të vendosej përgjithmonë në vitin 1991. Nga ana tjetër, Tefta nuk e pa më Leonen, pasi ai vdiq pak para se edhe ajo të emigronte, në vitin 1993”, tregon Rudina.

Pas depërtimit të Leones në Itali, Tefta e gjeti veten me një djalë për të rritur e vetme dhe për t’u kujdesur për Rudinën. Ajo ishte formalisht e lirë, por Sigurimi Shtetit e mbante në survejim dhe një herë e provokoi atë: “Një natë disa oficerë hynë në banesë. Ata bënë disa pyetje. Njëri prej tyre ndezi një cigare; që i shkëlqeu në errësirë. Ata u larguan pas pak. Jeta për Teftën u bë e rëndë. Ajo u bind se herët a vonë, regjimi do ta lëndonte atë, mua dhe Pierinon.

Kështu, e rraskapitur emocionalisht, ajo mori një vendim drastik. Në fund të vitit 1954, u bashkuam me nënën dhe vëllezërit e mi, në kampin e Plugut, afër Lushnjës, ku ishin transferuar pas mbylljes së kampit të Tepelenës. Sapo mbërritëm atje, autoritetet e kampit i thanë Teftës, se ajo mund të qëndronte, por ajo do të duhej të thirrje çdo ditë në apelim, si të gjithë të burgosurit e tjerë”, kujton Rudina.

Ajo duhej të hiqte dorë nga liria, me fjalë të tjera. E njëjta gjë ishte edhe për Rudinën dhe Pierinon. “Motra ime ishte në dijeni të asaj që na priste, por jeta e saj, me Sigurimin e Shtetit në survejim, ishte bërë e padurueshme. Ajo mendoi se nëse do të duhej të vuanim vërtet, ishte më mirë ta bënim me të dashurit tanë, duke ndarë të njëjtin fat me ta”.

“Më duket e çuditshme që jemi në Itali, që kemi një makinë dhe kemi ujë të rrjedhshëm dhe lavatriçe në shtëpi. I vëzhgoj këto gjëra me kuriozitet, si një vajzë e vogël. Ndoshta vjen nga fakti se fëmijëria ime, e cila nuk ka filluar kurrë, është diku brenda meje, edhe nëse jam plakur tashmë”, shprehet Rudina.

Fëmijëria dhe adoleshenca: regjimi ia hoqi edhe atë Rudina Demës. Ajo i kaloi të gjitha në kampin e Savrës, ku do të qëndronte deri në vitin 1964. Ajo dhe familja e saj mbërritën atje pas nja dy vitesh në Plug.

Në rrethin e Lushnjës ndodhej edhe Savra. Gjatë ditës Rudina punonte token, për një kooperativë bujqësore, kurse në mbrëmje ndiqte shkollën. Diplomën e shkollës së mesme e mori me shumë sakrifica. Një jetë e mjerë, e vështirë. Ky kamp ishte më mirë se ai i Tepelenës.

“Atje të gjithë të burgosurit ishin në një dhomë të madhe. Në Savër na dhanë një dhomë për vete, për mua dhe familjen time. Ishte brenda një kasolle. Nuk kishim banjë, duhej të shkonim në oborr. Por të paktën ne ishim vetëm”, kujton Rudina.

Vëllai tyre Sazani, në vitin 1951, menjëherë pas lirimit të Rudinës nga kampi, arrin të arratiset nga Tepelena. “Ishte i shpejtë, ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, gjeti një mënyrë për të shpëtuar kontrollit të rojeve”. Menjëherë e kapën dhe kreu katër vjet burg në Gjirokastër. Pasi u lirua, ai arriti të arratisej në Jugosllavi. Më pas shkoi në Greqi, Itali dhe Gjermani. Më në fund në Shtetet e Bashkuara. Ai jeton në Misuri dhe është shtetas amerikan.

Pas arratisjes së Sazanit, e ëma Vasfie u torturua nga Sigurimi i Shtetit. “Ata e varën me kokë poshtë në një pemë, duke i vendosur një kovë plot me m… para fytyrës së saj. Na thuaj ku është djali yt, ose do të të fusim aty”, kërcënonin ata. Por ajo nuk e dinte dhe rojet nuk patën guximin të vepronin më tej.

Ajo pësoi një tjetër poshtërim në fshatin Plug të Lushnjes ku ishte e internuar, kur agjentët e Sigurimit të Shtetit i njoftuan për vdekjen e bashkëshortit të saj Hysniut. “Vdiq në Greqi”, thanë ata me përbuzje. Ata përdorën pikërisht atë fjalë: ngordhi.

Në vitin 1964, qeveria komuniste e Tiranës lehtësoi disi kontrollin e të burgosurve politikë me një masë prove. Përfituesit, mund të jetonin dhe të gjenin një punë brenda zonave të sigurta, të kufizuara nga autoritetet përkatëse të Ministrisë së Punëve të Brendshme që i mbikëqyrnin ata.

Nga ato dispozita lehtësuese, përfituan Rudina dhe Tefta. Aliu dhe Vasfia nuk e bënë kërkesën për masat lehtësuese dhe mbetën në Savër. Vera, nga ana tjetër, prej disa kohësh ndodhej në Tiranë, ku ishte martuar me Qazim Kuçën, shofer në një park kamionësh transporti. Edhe familjarët e tij kishin pasur probleme me regjimin dhe njiheshin me familjen Dema. Autoritetet i dhanë Verës lejen që të largohej nga kampi i Savrës dhe të jetonte me Qazimin. Dashuria, të paktën kjo, nuk ishte e ndaluar. Jo gjithmonë. Në vitin 1968, çifti pati një djalë, Engjellin.

Zona brenda së cilës Tefta dhe Rudina mund të gëzonin “shërbimin e provës”, (si familje e internuar), përfshihej midis qyteteve Lushnjë, Fier, Berat e Kavajë dhe Elbasan. Ata zgjodhën të shkonin tek kjo e fundit. “Tefta besonte se në atë qytet, një qytet i madh me një bazë të mirë kulturore, ne mund të gjenim një punë të denjë dhe të jetonim në paqe”, kujton Rudina.

Midis pritshmërive dhe realitetit, dallimi ishte e thellë. “Nuk ishte e lehtë të gjeje një punë të mirë, pasi kishim një reputacion të komprometuar për regjimin komunist në fuqi. Ne gjetëm punë vetëm në ullishtat e zonës dhe më vonë në një rrobaqepësi si punëtorë. Çdo ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje shkonim në Degën e Punëve të Brendshme për t’u paraqitur, siç ishte rregulli për të internuarit. Më pas, opinion i vendasve ndaj nesh, filloi të përkeqësohej dhe ata më fanatikët e indoktrinuar, na quanin: “dy kurvat”.

Pierino nuk ishte me ta. Tefta e dërgoi në Tiranë te Vera, që të ndiqte një shkollë të mirë. Ajo donte t’i garantonte atij një të ardhme më të mirë, se e saja. Edhe Rudina në ato vite shkonte në shkollë, në mbrëmje, pas punës, siç bëri në Savër. Ai arriti të merrte diplomën e shkollës së mesme.

Vitet në Elbasan sigurisht nuk kanë qenë të lumtura, por Rudina ka një kujtim të këndshëm atje. Në vitin 1971, ajo arriti të marrë pjesë në një udhëtim me pagesë në det, në Vlorë, të ofruar nga regjimi, për një grup të rinjsh punëtorësh në rrobaqepësinë ku ishte e punësuar.

Për një kohë ata kishin bërë punë vullnetare në kodrat pas qytetit Elbasanit: shtetit i duheshin duar të forta për të punuar atë tokë të zymtë dhe për të mbjellë ullishte. Rudina nuk e kishte parë kurrë detin, dhe i kërkoi një zyrtari të Partisë së Punës, (partisë së vetme në kohën e komunizmit), ta shtonte edhe emrin e saj në atë në grup, me kusht, që ai udhëtim nuk do i nxirrte probleme asaj dhe ajo nuk do i detyroj asgjë atij.

“Ai merrej me të rinjtë dhe me punëtorët dhe e dinte se kush isha dhe nga vija, por duke qenë se isha e punësuar në rrobaqepësi, ai kishte një mendim të mirë për mua. Unë arrita ta bind atë”. Kështu Rudina zbuloi detin. “U ula këmbëkryq në plazh, shikoja valët dhe qaja. Ndjeva një ndjenjë të madhe lirie”.

Por Rudina kurrë nuk e kishte shijuar realisht lirinë, një liri të denjë dhe të plotë. Dhe ajo pak qetësi shpirtërore, që i ishte ofruar deri në atë kohë, në një moment të caktuar pushoi. E hoqën nga puna në vitin 1975. Ishte periudha e gjykimit dhe dënimit me vdekje të Beqir Ballukut, ministër i Mbrojtjes që nga viti 1952, i akuzuar për komplot kundër Hoxhës. Në Shqipërinë komuniste, ndodhte shpesh që grindjet e brendshme në krye të sistemit, të pasoheshin nga valë persekutimi në shkallë të gjerë.

Kështu ndodhi edhe atë herë. Rudina dhe Tefta u dërguan në një kamp në Belsh, një lokalitet në qarkun e Elbasanit. Dhe aty mbërriti edhe Pierino, i përzënë nga Tirana me gruan Ikbale, të martuar në vitet e mëparshme dhe fëmijën e tyre të porsalindur: që e quanin Leone, si emri i babait të Pierinos. Më vonë, çifti do të kishte edhe dy fëmijë, Uliksin dhe Anën.

Nga masat e reja kufizuese u prek edhe familja e Verës. Asaj i ra fusha e Grabianit, jo shumë larg Lushnjës. Aliu dhe Vasfia nuk u larguan nga Savra. Tre vjet më vonë, në 1978, Vasfia vdiq. Rudina e mendon çdo ditë.

“Në mëngjes, kur pi kafe, më shfaqet fytyra e saj. Reflektoj për jetën e një të mjeruari, që ajo bëri në kampet e përqendrimit. Ajo e gjeti veten pa asgjë, si zonja që ishte. Ajo kishte dhimbje të mëdha, por e mbajti atë brenda”, shprehet Rudina.

Në Belsh, Rudina punonte në një kooperativë bujqësore. “Ne kishim një rrogë të vogël, por pothuajse asgjë nuk mund të blihej me të. Kështu një natën shkova në arat e kooperativës, për të vjedhur presh, domate dhe spinaq”, kujton me dhimbje ajo.

Për nëntë vjet ajo bëri këtë jetë, në mënyrë të përsëritur dhe të trishtuar. Ngushëllimi ishte të kishte Teftën, motrën e saj të preferuar, për të cilën ushqeu një dashuri të pakufishme.

“Ajo të jepte përshtypjen e një gruaje zemërgur; ajo ishte gjithmonë serioze. Por po ta njihje mirë, po ta kuptoje nga brenda, nuk mund të shkëputeshe prej saj. Për mua ajo ishte mami, gjyshja, vëllai, babi, gjithçka”, shprehet Rudina.

Në vitin 1984, një pikë kthese: Rudinës iu dha sërish provë, këtë herë e vlefshme për të lëvizur në të gjithë territorin e Shqipërisë. Atë leje e kishte vetëm ajo, mes të afërmve të saj. Të gjithë të tjerët qëndruan në kampe, efektivisht deri në kohën e rënies së komunizmit. “Ndoshta, meqë nuk kisha burrë e fëmijë, kam qenë Dema më pak i rrezikshëm për regjimin”, kujton ajo.

Rudina shkoi të jetonte në Tiranë. Gjeti punë në një fabrikë tekstili të Kombinatit “Stalin”, zemra industriale e kryeqytetit në kohën e komunizmit, sot një periferi e shkatërruar dhe e harruar. Pas tre muajsh ajo u takua me Haxhi Manen, bashkëshortin e saj të ardhshëm, pesë vjet më i madh se ajo, po ashtu me një histori të dhimbshme pas tij.

Është një çam, siç e quajnë veten shqiptarët e veriut të Greqisë, i dëbuar masivisht në fund të Luftës së Dytë Botërore. Familja e Haxhiut ishte e pasur. Rudina u zhvendos në Durrës, ku banonte Haxhiu. Ata u martuan. Ajo gjeti punë në një rrobaqepësi; kurse ai si murator. Megi ka lindur në vitin 1988. Rudina e ka sjellë në jetë në moshën 43-vjeçare, Megin.

Për të, ajo vajzë e vogël ishte një dhuratë nga Zoti: Zoti i saj i krishterë. Ajo i ishte afruar prej kohësh katolicizmit. Takimi i parë me besimin ishte në Tepelenë. “Në fushë kishte edhe disa priftërinj, i pashë duke folur dhe duke u lutur. Isha i magjepsur prej tyre”.

Me kalimin e viteve, ndjenja e saj fetare u rrit. Rudina lutej fshehurazi, sepse në Shqipërinë komuniste ishte në fuqi ateizmi. “Kur mbërrita në Itali, doja të pagëzohesha. Unë e bëra këtë në vitin 1992, kurse Haxhiu, i cili e ruajti besimin e tij, atë mysliman, nuk pati asnjë kundërshtim”, kujton Rudina.

Edhe në Durrës, me një familje të sajën, me diktatorin Enver Hoxha, që nuk ishte më i kësaj bote (vdiq në 1985), Rudina vazhdonte të kishte frikë. “Nuk i thashë askujt nga isha, mbajta një profil të ulët. Ndjeva peshën e së shkuarës sime, të emrit tim dhe besoja se regjimi mund të më mbyllte sërish në kampe në çdo moment”.

Viti 1990 ishte një vit trazirash dhe pasigurie. Shpërthyen protesta të ndryshme. Në Tiranë në dhjetor studentët u ngritën në protesta kundër regjimit. Qeveria doli jashtë kontrollit të situatës. Në muajt në vijim, shumë shqiptarë e shfrytëzuan rastin për t’u larguar: drejt Italisë, nga deti. Ata nuk e dinin nëse komunizmi do të binte. Kur dyshonin, ata preferonin të udhëtonin. Italia, ëndrra perëndimore, liria.

Në fillim të marsit 1991, mijëra njerëz u vërsulën në portin e Durrësit dhe sulmuan anijet e ngarkesave të ankoruara atje. Ata urdhëruan komandantët të vendosnin të udhëtonin për në Brindizi, porti më i afërt i udhëtimit nga ku fluturonin dhe zogjtë, mes dy brigjeve. Ishte e vetmja mundësi për të kaluar Adriatikun sepse, në atë kohë nuk kishte tragete apo anije që bënin atë linjë. Deti ishte “një mur e pakalueshëm”, me ujë.

Midis datave 6 dhe 7 të muajit mars, 25 mijë shqiptarë zbarkuan në qytetin Salento. Rudina dhe Haxhiu udhëtuan në bordin e vaporit “Tirana”, një nga ata të marinës tregtare. Kur panë rrëmujën në portet e Durrësit, nuk u menduan shumë: vendosën të largoheshin.

“Nuk e dija se çfarë do të bëhej me mua, me ne, por e rëndësishme ishte të shpëtoja nga ai regjim, që nuk e mendoja se mund të binte. U veshëm. Haxhiu ishte me kostum dhe kravatë, unë kisha veshur një kostum të bukur. Shkojmë në Itali, nuk prezantohemi si lypës”, ??menduam.

Por bashkë me refugjatët mbërritëm, pas një udhëtimi të gjatë dhe të lodhshëm, në një anije të mbushur me plot njerëz. Gjatë udhëtimit mendoja vetëm për vuajtjet e mia, por ndihesha e lirë, pak a shumë, si kur pashë detin për herë të parë në vitin 1971 në Vlorë”, kujton Rudina.

Në Itali, Haxhiu dhe Rudina pothuajse menjëherë morën statusin e refugjatëve politikë. Ata jetuan për një kohë në San Michele Salentino, në zonën e Brindisit, më pas u transferuan në Antrodoco dhe prej andej në Rieti, aty pranë. Është qyteti i tyre që nga viti 1991.

Shumë shpejt iu bashkua Pierino dhe familja e tij dhe më pas mbërriti edhe Tefta, në vitin 1993, pasi u pranua kërkesa e Pierinos, për bashkim me nënën e tij. Vera dhe Aliu, pasi u larguan nga kampet, përkundrazi mbetën në Shqipëri, të dy në Tiranë. Të dy ata dhe Tefta, kanë ndërruar jetë: Vera në vitin 2005, Tefta në 2011, Aliu në 2013-ën. Tefta është varrosur në Rieti.

Haxhiu dhe Rudina, tashmë janë në pension. Në Itali, ai vazhdoi të ishte murator, si në Shqipëri. Kurse Tefta punoi si shërbyese në disa shtëpi. Ajo merr një kompensim mujor vërtet modest, por nuk ankohet. “Këtu gjeta lirinë, miqtë, mundësinë për të thënë atë që mendoj dhe një banesë sociale. Me gjithçka kam kaluar, kjo më mjafton”, shprehet Rudina.

Në vitin 2000, Rudina mori nënshtetësinë italiane dhe vetëm atëherë donte të kthehej në Shqipëri. “Pasaporta italiane më jepte siguri, nuk e kisha më parë. Vënia e këmbës në Shqipëri nuk më emocionoi. Ajo tokë më kishte marrë gjithçka. I vetmi gëzim që ndjeva, ishte të shihja sërish familjen time”.

Ditët e sotme Rudina viziton rregullisht vendin ku ka lindur. Ajo ka një shtëpi në qendër të Tiranës, por ka qenë disa herë edhe në Tepelenë, te ish-kampi i internimit. E pyeta nëse pas gjithë këtyre viteve ajo ndjen dëshirën për t’i falur – një parim themelor i besimit të saj, në fund të fundit – atyre që ia hoqën lirinë.

“E diskutova edhe me priftin tim. Ai më tha se të falësh, është një proces i ngadaltë, që duhet bërë pak nga pak. Por nuk e di nëse, do të jem në gjendje ta bëj ndonjëherë. Mendoj se është e pamundur të falësh gjithçka”./Memorie.al

Video