Fatkeqësitë natyrore, vendit i shkaktohen 147 milionë dollarë dëme në vit

22 November 2023, 12:46Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Fatkeqësitë natyrore, vendit i shkaktohen 147 milionë

Dëmet mesatare vjetore në infrastrukturë që vijnë nga fatkeqësitë natyrore po bëhen gjithmonë e më shqetësuese.

Një dokument i qeverisë vlerëson se mesatarisht duhen 147 milionë dollarë për të përballuar fatkeqësitë natyrore ku bëjnë pjesë përmbytjet, tërmetet apo rrëshqitjet që prekin rrjetin rrugor dhe urat, por pjesën kryesore e mbajnë të parat.

“Infrastruktura rrugore dhe e urave të Shqipërisë është e ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike dhe fatkeqësive natyrore, kryesisht përmbytjet dhe tërmetet. Dëmet mesatare vjetore vlerësohen në 147 milionë dollarë në vit, me një ngjarje katastrofë, për shembull siç është një tërmet 1 në 100 vjet, për shembull, duke shkaktuar më shumë se 2 miliardë dollarë dëme.

Përmbytjet lumore janë një rrezik i madh i rrezikut natyror në rrjetin rrugor primar në Shqipëri dhe përbën 84 për qind të totalit të AED(dëmit mesatar vjetor), krahasuar me 11 për qind nga rrëshqitjet e dheut dhe 5 për qind nga tërmetet” vlerësojnë institucionet shqiptare.

Disa arterie kryesore në infrastrukturë janë të prekur vazhdimisht nga përmbytjet dhe rëndësia e tyre ekonomike e bën dëmin edhe më të madh në raste bllokimesh. Dy janë rrugët kryesore që dokumentet përmendin dhe janë pjesë e korridorit 4 dhe 5.

“Nën rrjetin strategjik, Korridori 4 (Tiranë-Durrës) dhe Korridori 5 Durrës-Vlora, janë rrugët më kritike në Shqipëri. Këto korridore janë edhe tani të prekshme ndaj ngjarjeve të përmbytjeve dhe dëmi vjetor mund të jetë rreth 13 milionë euro për shkak të vëllimit të madh të trafikut dhe rëndësisë ekonomike të këtyre korridoreve dhe pritet të rritet sipas skenarëve të ndryshëm të ndryshimeve klimatike.

Duke marrë parasysh të gjithë rrjetin rrugor kombëtar urat dhe kanalet janë infrastruktura kyçe që janë më të cenueshmet dhe elementët më të ekspozuar vlerësohet një dëm mesatar vjetor prej 18.7 milionë euro” thuhet në dokument.

 


Video