Çfarë ndodhi me normat e interesit të depozitave në vitin 2023?

19 March 2024, 11:29Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Çfarë ndodhi me normat e interesit të depozitave në vitin

Normat e interesit të depozitave u rritën në përmasa të vogla për vitin e kaluar.

Statistikat e bankës së Shqipërisë tregojnë se për muajin dhjetor 2023, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në Lekë ishte 1.64%, nga 1.43% që kishte qenë në fund të vitit 2022.

Frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë dhe rënia e yield-eve uli stimujt për rritjen e interesave të depozitave bankare për pjesën më të madhe të vitit të kaluar.

Norma bazë e interesit në Shqipëri është frenuar në nivelin 3.25%, ndër më të ulëtit në Europë.

Normat e interesit të depozitave të reja shënuan rritje veçanërisht pas muajit gusht dhe arritën nivelin më të lartë vjetor në muajin nëntor, në 1.78%.

Kjo mund të shpjegohet me stanjacionin e depozitave në monedhën vendase dhe me ngushtimin e tepricave të likuiditetit të sektorit bankar gjatë pjesës më të madhe të vitit 2023.

Një rol të rëndësishëm në këtë shtrëngim luajti sidomos politika fiskale shtrënguese e ndjekur nga qeveria shqiptare. Vetëm pas muajit nëntor, me rritjen e shpenzimeve publike, depozitat bankare iu rikthyen rritjes.

Megjithatë, edhe rritja e interesave të kredive në Lekë vitin e kaluar ishte e kufizuar.

Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën lekë në dhjetor të vitit të kaluar ishte 4.85%, vetëm 0.2 pikë përqindje më i lartë krahasuar fundin e vitit 2022.

Një ritëm i ngjashëm i rritjes së normave të interesit të depozitave vitin e kaluar është regjistruar edhe për monedhën Euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit në për depozitat e reja në Euro në muajin dhjetor ishte 0.99%, nga 0.71% që kishte qenë në fund të vitit 2022.

Rritja e interesit të depozitave në euro nuk ka e ka ndjekur shumë ritmin e rritjes së normave të interesit të depozitave në tregjet europiane. Banka Qendrore Europiane (ECB) vitin e kaluar ndoqi një politikë monetare agresive dhe e rriti normën bazë deri në nivelin më të lartë historik prej 4.5%.

Por, në tregun shqiptar përcjellja e lëvizjeve të politikës monetare të ECB-së ka qenë mjaft e kufizuar. Kjo mund të shpjegohet me ofertën e lartë të fondeve në euro dhe me mungesën e alternativave të investimit financiar në këtë monedhë.

Depozitat në monedhën europiane i rritën më shumë se 6% vitin e kaluar. Nga ana tjetër, normat e ulëta të interesit në euro lidhen edhe me politikat rregullatore të Bankës së Shqipërisë.

Banka qendrore nuk u paguan bankave remunerim për rezervën e detyruar në këtë monedhë, përveçse kërkon një nivel më të lartë të kësaj rezerve, krahasuar me lekun.

Kjo rrit kostot e ndërmjetësimit në euro për sektorin bankar dhe ndikon direkt në mbajtjen e normave më të ulëta të interesit për depozitat.


Video