Falimentet në industri rrisin numrin e personave që përfitojnë pagesën e papunësisë

24 Qershor 2024, 12:14Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Falimentet në industri rrisin numrin e personave që

Numri i personave që përfitojnë pagesën e papunësisë u rrit me 25 % këtë vit sipas të dhënave nga INSTAT.

Në tremujorin e parë të vitit 2024 rreth 3290 persona morën pagesë papunësisë e njohur ndryshe si asistenca sociale, nga 2467 persona që përfituan në 3-mujorin e parë të vitit 2023.

Rritja e personave me asistencë sociale nisi që tremujorin e tretë të vitit 2023, si rrjedhojë e falimenteve që erdhën në bizneset e industrisë sidomos në sektorin fason. Rënia e euros në këmbim me lekun dhe rritja e pagës minimale bëri shumë nënkontraktorë të fasonit të mbylleshin pasi punonin me marzhe të ulëta fitimi.

Burimet nga prodhuesit pohuan se numri i përfituesve do të ishte më i lartë, por nga kompanitë nuk kanë plotësuar kushtet dhe shumë punonjës ishin në të zezë. Të dhënat të tjera tregojnë se vitin e kaluar 29 ndërmarrje me mbi 50 të punësuar nga sektorin e industrisë falimentuan.

Programet e pagesës së papunësisë janë pjesë e politikave shtetërore të punësimit të cilat sigurojnë mbështetjen me të ardhura të të papunëve në momentin e daljes së tyre si të tillë, duke synuar krijimin e kushteve për rikthimin e tyre në tregun e punës.

Programet e Pagesës së Papunësisë synojnë të mbështesin financiarisht të gjithë punëkërkuesit e papunë në rast papunësie për shkak të shkurtimit të vendit të punës, ndërprerjes së kontratës së punës, falimentimit të ndërmarrjes, zvogëlimit të aktivitetit etj, duke lehtësuar sadopak përpjekjet e tyre drejt punësimit.

Një kushtet kryesore është që punonjësit të kenë kontribuar në sigurimin shoqëror për një periudhë të paktën 12 mujore gjithsej, (për çdo rast përfitimi). Por shoqatat e fasoneve pohojnë se ky kusht nuk është përmbushur nga shumë biznese që kanë falimentuar pasi nga kriza financiare nuk i kanë paguar sigurimet.

Pagesa e papunësisë është 50% e pagës minimale në shkallë vendi. Çdo përfituesi i paguhet e ardhura e papunësisë në varësi të periudhës së kontributit në sigurimet shoqërore derdhur nga punëdhënësi.

Përfituesit marrin 3 muaj përfitim, nëse kanë të paktën 12 muaj gjithsej kontribute të sigurimeve shoqërore (duke filluar nga përfitimi i fundit). 9 muaj përfitim, nëse kanë të paktën 5 vjet gjithsej kontribute të sigurimeve shoqërore.

Përfituesit  duhet të kenë paraqitur kërkesën me shkrim për aplikim dhe të kenë plotësuar dokumentacionin përkatës, brenda 60 ditëve nga data e shkëputjes së marrëdhënieve financiare me punëdhënësin. Jashtë këtij afati përfituesit e humbasin të drejtën e pagesës së të ardhurës nga papunësia, me përjashtim të rasteve kur janë të paaftë për punë, e vërtetuar kjo me raport mjekësor ose dokumente shoqëruese, që kanë qenë të shtruar në spital (fletë hyrje dhe fletë dalje nga spitali).

Personat gra mbi 55 (pesëdhjetë e pesë) vjeç dhe burra mbi 60 (gjashtëdhjetë) vjeç përfitojnë pagesë papunësie 12 (dymbëdhjetë) muaj, me kusht që të kenë kontribuar 1(një) vit në sigurimet shoqërore për çdo rast përfitimi.


Vox Pop

Video