
E paralajmëruar që në Dhjetor të vitit të kaluar, tashmë eksportuesit kanë marrë hapa konkretë për organizimin e protestave masive para kryeministrisë. Si një sektor që sipas tyre është i goditur nga kursi i këmbimit, pandemia, tkurrja e vendeve të punës, i ka çuar ata të dalin në “rrugë” si të vetmen mundësi për tu dëgjuar pretendimet e tyre. Në një njoftim për mediat shoqata “PROEKSPORT ALBANIA” bën të ditur se do të ketë një tryezë nga ana e tyre, për të konkluduar në hapat që do të merren për nisjen e protestave. “Protestë për ruajtjen e 75.000 vendeve të punës, situata kritike dhe rreziku i falimentimit”. Ky është thelbi i tryezës që ka për qëllim të mbledhë së bashku dhe organizatat si KSSH, BSPSH, CLR.AL, GADC dhe punonjësit e sektorit tonë por edhe të sektorëve të tjerë Eksportues, iniciativa që janë marrë që në Dhjetor prej tyre.
Çfarë po ndodh me këto kompani?
Kompanitë eksportuese dhe prodhuese, sipas treguesve financiarë të tyre, po prodhojnë më pak dhe do të ofrojnë po ashtu më pak produkte për shitje. Do të thotë gjithashtu që kompanitë kanë nevojë për më pak punonjës dhe shpesh po rezultojnë pushime nga puna.
Gjithçka që po ndodh në ekonominë e prodhuesve për eksport po ndikon në tregun e punës.
Humbja e konkurrueshmerise së eksportuesve, rënia e vlerës së shitjeve nga forcimi i shpejtë i lekut dhe rritja e kostove direkte dhe ndikimi i inflacionit në shpenzimet e përditshme po krijojnë me shpejtësi ambientin e pafavorshëm për të vijuar më tej dhe po e detyrojnë pjesën dërrmuese të eksportuesve të mbyllin aktivitetet dhe të aplikojnë për status pasiv.
Kjo masë drastike e detyruar nga akumulimi i humbjeve dhe nga mospatja e një qartësie për tregun në vitin që po hyn do të krijojë një efekt në rritjen e papunësisë me të paktën 6% nga niveli aktual, ku kryesisht papunësia më e madhe do të ndihet te të punësuarat dhe të rinjtë.
Një shqetësim në rritje është edhe nevoja që për të matur realisht ndikimet dhe efektet e kësaj situate në ekonomi, në jetën sociale dhe në buxhetin e shtetit dhe atë të bizneseve nevojiten statistika zyrtare të sakta, në kohë reale dhe të shërbejnë si baza e përbashkët e dialogut social mes palëve.
Rrjedhimisht këta punëtorë dhe biznese janë lënë të vetëm dhe Qeveria fatkeqësisht këtë problem ekonomik dhe krizën aktuale e sheh vetëm përmes dy qasjeve: atë të lënies në dorë të tregut të adresojë problemet duke e konsideruar si një dështim të modelit të biznesit, si dhe trajtimin sipas kuadrit ligjor për papunësinë dhe për ofertën për punë në sektorë të tjerë nëse ndodh masivisht mbyllja e aktiviteteve prodhuese dhe eksportuese.
Kriza aktuale ka vënë në pah edhe një dobësi të jashtëzakonshme të përgatitjes së Institucioneve për të përballuar raste të tilla në prag të mbylljes së një sektori të tërë nëpërmjet krijimit të fondeve të posaçme për t’u përdorur për periudha krizash sektori apo kriza të shkaktuara nga moskoordinimi mes institucioneve dhe detyrave të pakryera për një mjedis konkurrues dhe me rregulla tregu të një ekonomie të lirë.