Cilat janë njësitë me më shumë detyrime të prapambetura dhe si do të shlyhen?

26 January 2024, 11:55Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Cilat janë njësitë me më shumë detyrime të

Detyrimet e prapambetura të bashkive në vend dhe mosshlyerja e tyre ndër vite është kthyer në problem për ofrimin e shërbimeve për qytetarët por edhe për ekzekutivin.  Për të vendosur në rrugën e zgjidhjes këtë situatë, Ministria e Financave ka vendosur të ndërhyje sërish, ku përmes një udhëzimit të botuar në Fletoren Zyrtare synohet menaxhimi i vështirësive financiare të njësive të vetëqëverisjes vendore. Konkretisht, udhëzimi në fjalë i grupon bashkitë sipas katër kategorive, në bazë të gjendjes financiare që kanë.

Konkretisht, bashkitë konsiderohen me probleme financiare kur detyrimet financiare të konstatuara dhe papaguara përbëjnë 15 për qind të shpenzimeve vjetore faktike, në një muaj të caktuar; apo, tejkalojnë 20 për qind të shpenzimeve vjetore faktike në muajin pasues; Në vështirësi financiare kur vonesat në likuidimin e detyrimeve financiare ndaj palëve të treta konstatohen edhe në muajin pasues të muajit, kur tejkalon nivelin prej 20 për qind, dhe vlera e stokut rritet progresivisht mbi nivelin prej 25 për qind të shpenzimeve vjetore faktike; Në vështirësi serioze financiare kur borxhet afatgjata dhe detyrimet e papaguara ndaj palëve të treta përbëjnë mbi 80 për qind të shpenzimeve vjetore faktike.

Në paaftësi paguese kur nuk arrin të zbatojë planin e rehabilitimit financiar dhe/ose nëse  raporti  i borxheve  afatgjata  dhe detyrimeve të papaguara është  mbi 130 për qind e shpenzimeve vjetore faktike.

Sipas udhëzimit, për çdo kategori bashkitë duhet të marrin një plan masash me qëllim rikuperimin financiar, i cili lidhet me performancë më të mirë në mbledhjen e taksave, uljen e shpenzimeve dhe përcaktimin e një kalendari shlyerje të detyrimeve që kanë duke u nisur nga detyrimet më të vjetra tek ato më të reja, duke përdorur edhe fondet e trashëguara nga një vit më parë.

Në rastin e bashkive që rezultojnë në paaftësi paguese, qeverisë i lind e drejta të emërojë një administrator i cili do të bashkëpunojë me kryetarin e bashkisë për të hartuar një plan dhe për të dalë nga gjendja e paaftësisë paguese. Afati i rikuperimit financiar dhe rikthimit të  njësisë së vetëqeverisjes vendore në gjendjen normale është 2 vjet.

Por cilat janë bashkitë që kanë më shumë detyrime të papaguara aktualisht? Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Ministria e Financave,  deri në shtator të 2023-shit, bashkitë rezultojnë me një stok detyrimesh të prapambetura në nivelin 7.8 miliardë lekësh. Bashkitë me më shumë detyrime janë Bashkia Tiranë, Mirditë, Vorë, Pogradec, Lezhë dhe Kamëz. Ndërsa Bashkitë që nuk kanë detyrime janë Pustec, Shkodër, Shijak, Kolonjë, etj.


Video