
Monedhat kryesore ndërkombëtare kanë vijuar forcimin ndaj lekut edhe në fillim të javës së dytë të 2024, duke zgjeruar fitimet e javës së kaluar. Në këtë mënyrë, tregu i brendshëm valutor vijon të karakterizohet nga një korrektim, pas forcimit të ndjeshëm të lekut gjatë vitit 2023.
Agjentët e tregut shprehen se pritshmëritë që Banka e Shqipërisë planifikon të ndërhyjë 20 herë në treg për të blerë në total rreth 330 milionë euro gjatë këtij viti, mund të kenë dhënë një efekt psikologjik në forcimin e monedhës europiane.
Edhe flukset e ulëta të euros në ekonominë shqiptare, gjatë kësaj periudhë të vitit, mund të kenë ndikuar gjithashtu në forcimin e monedhës europiane, që për rrjedhojë ka forcuar edhe monedhat e tjera në raport me lekun.
Në tregjet ndërkombëtare, euro e ka nisur në qëndrueshmëri javën e dytë të vitit 2024, pasi investitorët po presin të dhënat mbi inflacionin në SHBA për dhjetorin, që do të japin një panoramë më të qartë mbi vendimet që do të marrë Rezerva Federale në lidhje me politikat monetare. Ndërkohë, tregtia në rajonin e Azi-Paqësorit ka qenë e ulët për shkak se bursa e Japonisë qëndroi pushim me rastin e një feste kombëtare.
Të dhënat e publikuara javën e kaluar, treguan se kompanitë amerikane punësuan më shumë punonjës krahasuar me vlerësimet e analistëve, gjatë dhjetorit, ndërsa edhe pagat vazhduan rritjen. Megjithatë, një sondazh i veçantë po të premten tregoi se sektori i shërbimeve në SHBA u ngadalësua ndjeshëm muajin e kaluar, me masën e punësimit që ra në nivelin më të ulët në gati 3 vite e gjysmë, duke paraqitur një pikëpamje mikse për ekonominë më të madhe në botë.