
Ecuria pozitive e ekonomisë përgjatë vitit 2023 është reflektuar edhe në rritjen e numrit të bizneseve të reja. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve të siguruara nga SCAN TV, rezulton se numri i tatimpaguesve aktive, që kanë një përgjegjësi tatimore në Regjistrin Kombëtar në fund të vitit 2023, regjistrohet në 127,698 tatimpagues gjithsej nga 123,340 tatimpagues në fund të vitit 2022. E thënë ndryshe janë afro 4,358 tatimpagues aktivë aktive më shume se në 2022-shin.
Sipas kategorizimit të tatimpaguesve, bazuar në nivelin e qarkullimit të realizuar dhe vetëdeklaruar, në fund të vitit rezultojnë: 93,709 tatimpagues të regjistruar në biznes të vogël, 31,222 tatimpagues në biznes të madh dhe 2,767 të tjerë .
Në shifrën gjithsej të tatimpaguesve aktivë rezultojnë të regjistruar në përgjegjësinë tatimore TVSH 34,767 tatimpagues në fund të vitit 2023, nga të cilët 9,450 janë tatimpagues të biznesit të vogël.
Të dhënat e tatimeve tregtojnë se gjatë vitit 2023 u regjistruan si tatimpagues të rinj për herë të parë 18,777 subjekte, ku rezulton 604 më me shume se viti 2022. Ne numrin e tatimpaguesve aktive nuk janë përfshirë 96,835 fermerë/prodhues bujqësorë të cilët nuk kanë përgjegjësi tatimore.
Vetëm në vitin 2023 u regjistruan nga Drejtoritë Rajonale Tatimore ne rrethe 12,995 fermerë. Ky numër pritet të vijë sërish në rritje përgjatë këtij viti për shkak të skemave kombëtare, ku kusht kryesor për përfitim është pajisja me niptin e fermerit.