Dëgjohet kaq shumë për pagat e magjistratëve, kaq absurd është konflikti, kaq jashtë realitetit jetësor e ligjor, sa mund të mendohet se parimi humbi vlerën.
Konflikti i prodhuar nga një vendim i Kushtetutës, e cila nuk ka zgjidhur konflikte sociale e jetësore për minatorët, fermerët, pronarët dhe të pastrehët, zgjidhi konfliktin magjistratë-ekzekutiv.
Ndaj parimi humbi vlerën.
Humbi vlerën, siç e ka humbur prej vitesh edhe “afati 3-mujor i hetimit”, që buron nga Kushtetuta, së cilës prokurori i përkulet për t’i treguar forcën Thesarit të Shtetit për disa mijëra euro në rrogën e tij shtesë.
E humbi prej vitesh edhe afati “3-vjeçar” i paraburgimit, afati 1-mujor i zbardhjes së vendimeve, 1 muaji i gjykimit në Gjykatën Administrative etj., etj.
Parime që magjistratët i mësuan pasi mësuan sa e kishin pagën.
Por i mësuan dikur dhe, që nga viti 2018, nuk i zbatuan asnjëherë.
Apo Kushtetuta i ka në footnote këto parime ligjore dhe, me bold, ka vendimin e kthimit të KLP-së dhe KLGJ-së në shefa finance?
Po ato vendimet e GJEDNJ-së për shpërblimin e shtetasve për gjykimet me vonesë?
A… ato nuk i ka sjellë posta akoma? Nuk kanë arritur në tryezën e shefit të financës?
Të nderuar magjistratë!
Pak modesti, pak moral, pak punë dhe shumë ligj e Kushtetutë.
Të ushtrosh trysni në Thesarin e Shtetit me armën që kjo Kushtetutë ju ka dhënë (vendimin, por kësaj radhe pa kundërshtar), është të kërcënosh sigurinë kombëtare.
As më shumë e as më pak: krim kundër rendit kushtetues.
Ju ose nuk e dini, ose jeni kaq të bindur në forcën tuaj, sa nuk keni frikë as kur rrezikoni rendin e sigurinë kombëtare, pra vetë shtetin.
Këtë krim kush e heton? Shtetin kush e mbron kësaj here?
Grushti i shtetit nga magjistratët çfarë forme duhet të ketë që të quhet i tillë?
Sulmi ndaj rendit kushtetues e sigurisë kombëtare, kur ekziston për ju, magjistratë? Kur është vepër penale?
Ku ndryshoni ju nga oligarkët që duhet të hetoni? Ku ndryshoni nga subjektet tuaja?
Ata abuzojnë me prona, pasuri, detyrën etj., etj.; ju, me të drejtën.
Ndryshimi ku qëndron? Pasoja bie mbi shtetin njëlloj.
Këtë shtet, të cilit i kërkoni para për punë të pabëra, por me formula ekonomistësh të KLGJ-së e KLP-së, jo me vendime të institucioneve kushtetuese (Parlamentit).