Këpucar rri tek këpuca

10 September 2026, 21:11Pikëpamje SHKRUAR NGA ARDIT KUKA
Këpucar rri tek këpuca
Ardit Kuka

Prej disa ditësh organet e sistemit të drejtësisë janë në një mosmarrëveshje të hapur me organet e pushtetit ekzekutiv. Nëse vijon kështu, javët në vijim mund të flitet për krizë kushtetuese. Mosmarrëveshja buron nga refuzimi i Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Thesarit për të ekzekutuar Vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, në të cilën, ky institucion si garantues i Kushtetutës konkludoi se Kuvendi ka shkelur parimin e pavarësisisë së pushtetit gjyqësor, sepse ka cënuar pagën e magjistratëve (gjyqtarëve dhe prokurorëve) si komponent i saj, në formën e “uljes së fshehtë”, me formulën e përcaktuar me ndryshimet ligjore 2023, që referonin në pagën e Presidentit të Republikës. Ky institucion i la Kuvendit 4-muaj afat për të miratuar ndryshimet e reja, në të kundërt do të hynte në fuqi formula e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese pas datës 31.07.2026, që në thelb të referon tek paga e nëpunësit civil (drejtor drejtorie në Kryeministri), të përcaktuar me ligjet e  Reformës në Drejtësi të vitit 2016. Kjo ishte hera e dytë që Kuvendi pësonte disfatë për të njëjtën çështje në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë kësaj kohe Kuvendi u tregua indiferent dhe eventualisht filloi efektet përllogaritja e bërë nga Gjykata Kushtetuese.

Çfarë kishte ndodhur në vitin 2023? Gjatë auditimit në vitin 2021, KLSH konstatoi se kishte shkelje nga KLGJ për sa i përket përllogaritjes së pagës. Magjistratëve u ishte dhënë paga në bazë të një kategorie më të ulët sesa ajo e vendosur nga ligji. Kërkoi marrjen e masave, për rivendosjen e së drejtës së shkelur. Paga jepej në bazë të kategorisë II-a, ndërsa ligji e përcaktonte më të lartë në kategorinë I-3. Përveçse ishin paguar për një kategori më të ulët, u ishte mbajtur edhe shtesa për pozicion në vlerën 14,000 lekë. Shteti u kishte mbajtur pa të drejtë magjistratëve afërsisht 30,000 lekë neto në muaj nga paga që u takonte. Ligjvënësi bëri raprezalje. Ndryshoi ligjin në vitin 2021 me ligjin nr. 50/2021 dhe uli pagën referuese nga kategoria “I-3 “drejtor i drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri ose të barazvlefshëm me të” në “Drejtor i drejtorisë së përgjithshme apo të çdo pozicioni tjetër të barasvlershëm me të në Kryeministri”, duke bërë ligjore, atë që deri tani e kishte bërë faktike. E thënë me thjeshtë magjistratët do të merrnin pagën që kishin marrë deri në vitin 2021. Për gjyqtarët kjo përbënte cënim të standardit kushtetues të moscënueshmërisë së pagës, të sanksionuar në nenin 138 të Kushtetutës. Iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese dhe fituan në vitin 2022. Kjo nuk u prit mirë nga legjislativi, që në vitin 2023 ndryshoi përsëri kriterin e përllogaritjes së pagës, këtë herë duke e shkëputuar përfundimisht nga nëpunësi civil dhe e referoi tek “paga e Presidentit të Republikës, me koeficentin 0.36”. Pak kohë pas këtij ndryshimi, paga e nëpunësit civil u rrit ndjeshëm dhe praktikisht drejtori i drejtorisë në Kryeministri merrte pagë të përafërt me atë të magjistratit. Kështu u ç`bë ekuilibri i vendosur me ligj në vitin 2016, në të cilën magjistratët merrnin gati dyfishin e pagës së drejtorit të drejtorisë. Ky standard ishte jo pa qëllim. Gjyqtari nuk është nëpunës i thjeshtë. Nuk është nëpunës i administratës publike. Pushteti gjyqësor është një nga tre pushtetet e shtetit, krahas legjislativit dhe ekzekutivit. Që do të thotë se edhe trajtimi financiar duhet të jetë i ngjashëm. Aq e rëndësishme është kjo pavarësi, saqë mbetet emblematike, e përbotshme, e gdhendur me gërma të arta në nenin 16 të Deklartës Franceze të të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit të vitit 1789: “Çdo shoqëri që nuk parashikon garantimin e të drejtave të njeriut dhe ndarjen e pushteteve nuk ka Kushtetutë".  Përgjegjësia e lartë, kërkon edhe trajtim financiar të denjë. Përveç rëndësisë që ka dhënia e drejtësisë, gjyqtarët kanë një seri kufizimesh dhe paga është i vetmi burim të ardhurash. Prandaj kudo në botë janë ndër funksionarët publikë më të mirëpaguar. Paga e gjyqtarit është garanci për vetë qytetarin.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë materializuan dhe konkretizuan atë që tashmë e kishte thënë Gjykata Kushtetuese, duke bërë përllogaritjen e pagës. Ndryshe nga sa propagandohet, nuk caktuan pagë, nuk i caktuan pagë vetes, por duke u bazuar në kategorinë referuese të cituar nga GJK (kategoria I-2) dhe VKM për kategorinë e pagave, me qëllim uniformizimin për të gjitha gjykatat, orientuan se sa do të ishte shuma bruto për magjistratin. Kryetarët e gjykatave, si titullarë të institucioneve dhe nëpunës zbatues të buxhetit mund të zbatonin direkt vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pa pasur nevojën për uniformizim nga KLGJ. Me fjalë të tjera përkthyen fjalët në shifra. Nuk mund të pritet që Gjykata Kushtetuese të përcaktonte nominalisht pagën dhe me vlerë fikse. Kështu organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë morën masat për situatën e re të krijuar, me qëllim që në shtator të aplikoheshin pagat e reja.

Pas shiut vjen dielli, thotë shprehja e vjetër. Por në këtë rast ishte e kundërta, pas diellit, erdhi shiu. Vjeshta gjyqësore e stuhishme. Gjyqtarët u kthyen nga pushimet e muajit gusht, që është me ligj leje vjetore për  të gjithë gjyqtarët, për të rifilluar veprimtarinë gjyqësore. Ndërkohë njoftohen në datën 02.09.2026 se pagat nuk do të kalohen. Shkaku: kanë sjellë listëpagesat (urdhërshpenzimet) për punonjësit me referenca të reja. Duhet t` i tërheqin dhe të bëjnë përllogaritjen me referencën e mëparshme (kjo që tashmë ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese). Pas reagimit organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, të shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Ministria e Financave u përgjigj me një shkresë sqaruese, ku jepej arsyetimi i cituar më lart.

Bashkë me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, u bllokuan edhe pagat e administratës gjyqësore e të prokurorisë, të cilat nuk kanë qenë subjekt i vendimmarrjes nga Gjykata Kushtetuese. Kjo të kujton Luftën e Dytë Botërore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shpallën luftë Perandorisë Japoneze pas shkatërrimit të Portit të Perlave (Pearl Harbour) në 08.12.1941. Menjëherë, në të njëjtën ditë, pa paralajmëruar Gjermania Naziste i shpalli luftë SHBA-ve. Një zyrtar i lartë amerikan i habitur tha: “Po ky ç’punë ka?” Askush nuk i kishte shpallur luftë Gjermanisë Hitleriane.

Propaganda e përcjellë në media, nxitoi të shpallte se “gjyqtarët po i caktojnë vetë pagat”. Debati nga respektimi i  vendimit të Gjykatës Kushtetuese, respektimi i pavarësisë së pushtetit gjyqësor, kompenent i të cilit është autonomia financiare, u tentua të degradohej në çështje pagash, lekësh. Magjistratët nuk kërkojnë lekë, kërkojnë dinjitet. Kërkojnë respektimin e statusit të gjyqtarit në një shoqëri demokratike. U munduan t`i vënë organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe shoqatat e magjistratëve si tek “Armiku i Popullit” të Ibsenit. Dr. Stokman paralajmëronte popullin se me metoda shkencore kishte zbuluar banjat e qytetit ishin të ndotura nga bakteret, ndërsa kryebashkiaku dhe publiku i painformuar siç duhet, nxituan ta deklaronin armik të popullit. Edhe fundi dihet.

Të gjithë po kërkonin aktin nënligjor, urdhër a udhëzim, subjektin përgjegjës që kishte urdhëruar Drejtorinë e Thesarit për të bllokuar pagën mujore të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore. Kush ishte Ministri i Financave, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave apo ndonjë zyrtar tjetër? Nuk ishte Zhaveri i “Të mjerëve” të Hygoit, inspektori i palodhur i policisë që ndiqte këmba-këmbës Zhan Valzhanin, për të zbatuar me rreptësinë më të madhe ligjin. Në fakt, më shumë ngjason me atë fabulën e Ezopit. Ra një rrufe në mal dhe u dëgjua në bubullimë. Të gjithë kthyen sytë. Panë se nga mali doli një mi. Urdhri adresuar Degëve të Thesarit nuk ishte nxjerrë nga Ministri i Financave dhe as nga Sekretari i Përgjithshëm. “Akti nënligjor” nëse mund të quhet i tillë ishte një mesazh elektronik (email) me dërgues “Paradhoma e Sekretarit të Përgjithshëm”, për të cilën erdha në dijeni nga një foto të publikuar në një portal në rrjetet sociale dhe çka më frymëzoi të hidhja në letër këto pak rreshta. Nuk është e vështirë të kuptosh rolin dhe funksionin që ka “Paradhoma” apo “Sekretari i Paradhomës”. Nuk nevojitet të hapësh fjalorin e Gjuhës Shqipe apo fjalorë etimologjikë. Bëhet fjalë për sekretarin personal të titullarit të institucionit, që rri në dhomën ngjitur me të, në këtë rast sekretari i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, funksioni i të cilit lidhet me organzimin e axhendës, takimeve dhe pritjeve të personave të ndryshëm me titullarin.

Është e habitshme sesi është zbatuar me një frymë nga Degët e Thesarit në rrethe ky “urdhër”, duke bllokuar pagat e mbi 4000 personave që punojnë në organet e drejtësisë (magjistratë dhe administratë gjyqësore), pushteti gjyqësor, që është kolonë vertebrale e shtetit demokratik. Si njeri i ligjit, personalisht e kam shumë frikë nga ligjin. Shkelja e ligjit ka sanksionin, që mund të jetë i natyrës civile ose penale, madje edhe i të dyjave bashkë. E pranoj se jam frikacak në këtë drejtim. Më kujtohet një miku im, që gjatë një debati mbi të drejtën dhe moralin, më tha: Nuk e di nëse ka Zot ose jo, por di të them se në radhë të parë kam frikë burgun. Burgu është i vështirë. Të kesh frikë, është diçka e natyrshme, instiktive për qenien njerëzore dhe jo vetëm për të. Përkundrazi, të mospasurit frikë duhet të jetë shqetësim për njeriun. Pandjeshmëria nuk është krenari. 

Nga e drejta materiale, po hidhem në të drejtën procedurale. Ky “akti”, që nuk di sesi ta pagëzoj të fut në një dilemë të madhe juridike, si mund të mbrohesh juridikisht para një situate të tillë, si të mbrosh të drejtën subjektive? Të ngresh padi civile, padi administrative apo të iniciosh kërkesë për mosmarrëveshje kushtetuese. Çdo jurist me njohuritë më bazike do të buzëqeshte dhe do të të këshillonte të mos mbytesh me një pikë ujë. Përgjigja është pa ekuivoke: nuk krijon mosmarrëveshje civile, as administrative, madje as kushtetuese, për një arsye të thjeshtë, sepse nuk mund të ngresh padi ndaj një subjekti që nuk ekziston. “Paradhoma” nuk është subjekt juridik. Në kohë marrinash, institucionin mund ta bësh paradhomë, por paradhomën nuk mund ta bësh kurrë institucion. Sekretari ka veshur pallton e gjeneralit, duke përfytyruar gradat që ka marrë me shpejtësi në kohë lufte dhe nxiton të japë urdhra në front, por harron se nuk jemi në kohë lufte. Jemi në kohën e shtetit të së drejtës. Nuk qeverisemi nga njerëzit, por qeverisemi nga ligjet. Edhe meqë jemi tek ligjet, të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Aventura e paradhomës, të sjell në mendje personazhin e Gjorgut tek “Prill i Thyer” i Kadaresë, që pasi kryen vrasje për gjakmarrje, mes besës së vogël dhe besës së madhe, zgjedh këtë të dytën, sepse e di që një ditë do të ndëshkohet për atë që ka kryer. Pas krimit, vjen ndëshkimi. Edhe ditën e 30-të të përfundimit të besës së madhe, Gjorgu ra. Shpagimi ishte kryer.

Akti i nxjerrë nga “Institucioni i Paradhomës” të kujton anekdotën e piktorit Apeles i Ishullit Kos të Greqisë së Lashtë, të treguar nga Plini Plaku. Një ditë piktori i famshëm, ekspozon veprat e tij për publikun. Afrohet një këpucëbërës dhe i vë në dukje se sandalet nuk kishin numrin e saktë të rripave në pikturë (crepides- lloj sandalesh në antikitet). Pasi e pyet, zejtari i tregon për profesionin e tij. Piktori e pranoi vërejtjen dhe korrigjoi këtë gabim në veprën e artit. Të nesërmen afrohet sërish këpucari dhe kritikon këmbët e personazhit në pikturë. Piktori me inat i kthehet:  “Ne supram crepidiam sutor iudiaret” -“Ah të lutem, këpucar, mos gjyko përtej këpucës”


100 ditë

Lexo
Lutfi Dervishi 7 September, 17:47Pikëpamje

Video