Shkodra e prerë në besë si Rozafa

6 March 2022, 21:37Pikëpamje SHKRUAR NGA EDONA LLUKAçAJ
Shkodra e prerë në besë si Rozafa
Kuti votimi

Në një kohë kur fokusi mbarëbotëror është në luftën që po zhvillohet në Ukrainë, në Shqipëri po zhvillohen zgjedhje të pjesshme lokale në gjashtë bashki.

Pak për arsye se sulmi ndaj Ukrainës pritet të ndikojë të paktën financiarisht jo vetëm kontinentet ku Federate Ruse shtrihet; pak se të zgjedhurit do drejtojnë bashkitë përkatëse vetëm për rreth 1 vit; dhe pak se kandidatët dhe emëruesit e tyre nuk frymëzojnë dhe premtojnë fort, zgjedhjet e 6 Marsit, me të drejtë, nuk po marrin shumë vëmendje.

Në fund të fundit, ata vlejnë vetëm për të mësuar nëse opozitarët janë më së shumti me “vulën” apo me “shtëpinë” dhe kjo në “vaj hallin” e politikës sonë bën pak diferencë.

Sidoqoftë, ditën e fundit të fushatës, Shkodra pati një “paradë liderësh”, ku në një pasdite dëshmoi tre mitingje përmbyllëse. Ashtu si kryetari i Partisë Demokratike Basha dhe ideatori i “shtëpisë” Berisha, edhe kryeministri Rama u shfaq krah kandidates së vet për drejtimin e këtij qyteti.

I përfshirë minimalisht në fushatë, z. Rama, dukshëm, vendosi të ishte i pranishëm atje ku, ndryshe prej bashkive të tjera, të dielën pritej një betejë e mirëfilltë elektorale.

Qytetarët e Shkodrës nuk do jenë impresionuar fort nga vizita e shkurtër. Duhet të jenë të mësuar me vëmendje sezonale, prag votimesh. Për më tepër, javët e fundit, qyteti i tyre ka pritur mjaft “udhëheqësa Tirane”, Madje, vetë presidenti Meta ka shkuar dhe ka kënduar këngët e tyre me Bujar Qamilin.

Ajo që do i ketë bërë përshtypje shkodranëve do ketë qenë se, edhe në ditën kur iu kërkohej mbështetja, ata, ironikisht, fajësohen për ngrehinën e harresës ku janë lënë tash sa vjet.

Kryeministri Rama iu drejtoi gishtin duke i thënë se qyteti tyre ishte krahasimisht më i pistë se bashkitë përreth që kishin votuar kandidatët në kah të pushtetit qëndror. Ai iu përmendi edhe mungesën e zhvillimit, si e meriton një qendër qarku.

Ndonëse retorika e kryeministrit i referohej kryebashkiakes në ikje, në mënyrë të tërthorte ajo shprehte edhe se Shkodra ishte jashtë “hartës zhvillimore” të pushtetit qëndror, ndoshta për arsye se nuk zgjodhi kahun e tij.

Por harrohej se kryebashkiakia në fjalë ishte në atë detyrë sepse fituesi i zgjedhjeve të 30 Qershorit për këtë qytet u dorëhoq pas publikimit të fakteve që hidhnin hije mbi pastërtinë e figurës së tij.

Pra, harrohej se, edhe kur votonte detyrimisht majtas, për Shkodrën nuk u gjet një kandidat i pakontestueshëm. Harrohej se gishti që i drejtohej kryeabashkiakes së shkuar ngarkonte pashmangshmërisht me përgjegjësi edhe prefekten e qytetit, kandidaten e tij, apo kryetarin e këshillit bashkiak, kandidatin e një prej rivalëve të tij, për 6 Marsin.

Kryeministri që nuk e viziton shpesh Shkodrën, si ata që, së fundmi, nuk i ndahen, e di mirë se Shkodrës një incenerator plehrash edhe mund t’i mungojë, por “dy pare mend” për të kuptuar arsyet e moszhvillimit qytetarët atje i kanë.

E konsideruar nga një grup si e pabindur dhe e pamundur, dhe nga tjetri si bastion, prioriteti i nevojshëm Shkodrës nuk i është dhënë ndonjëherë. Ajo ka qenë thuajse gjithmonë e prera në besë, si Rozafa. Një tip laboratori politik ku lënia pasdore, mohimi, harresa eksperimentohen.

Në sinkron me këtë, në fund të zgjedhjeve të pjesshme, shkodranët e frustruar do kenë për kryebashkiak ose një prej figurave që kanë gisht në zhvillimin e munguar të shprehur nga kryeministri ose një zjarrvënës në shkolla. Çfarë zgjedhje!


Video