Nga Raimond Cimbi
Pas mynxyrës së zgjedhjeve të 14 Majit, lajmin që ka filluar të ushqehet dhe të qarkullojë nëpër portale apo studio televizive se Basha po rikthehet, apo duhet të rikthehet në krye të PD, e konsideroj si lajmin më të keq për demokratët.
Për të qenë konçiz në konsideratën time, po rreshtoj përmbledhtazi argumentet e mia.
Lulzim Basha është i përzgjedhuri, i preferuari i Sali Berishës. Dhe si i tillë nuk zhgënjeu! Individualiteti dhe personaliteti i Bashës i përmbushte më së miri shijet e Berishës për pasardhësin e vet në krye të PD.
Demagog me oratori boshe, gënjeshtar “par excellence”, menaxher i paaftë, përtac patologjik. Kjo do të ishte kukulla perfekte për Sali Berishën.
Lulzim Basha nuk shfaqi vlerat e një politikani të formuar, të mençur, vizionar, gjatë periudhës kur drejtoi Partinë Demokratike. Edhe ai vetë u gjend i papërgatitur në llokmën që i ra për hise. Njësoj si kumbari i tij, “politika” Bashiste mbështetej në protesta dhe bojkote, të cilat prodhuan një shterpësi politike që zbehu deri në vdekje klinike shpresat opozitariste.
Lulzim Basha nuk shfaqi dot as vlerat minimale të një menaxheri apo të një guvernatori. Pas 4 vjet kryetar bashkie nuk mbahet mend pothuaj asnjë vepër apo punë e tij në Tiranë. Dhe të mendosh që ky ishte një rast i artë për të. Të qenit kryetar bashkie kryeqyteti është një trampolinë ku mjaft personazhe ambiciozë kërcyen në karrierën politike duke përfunduar kryetarë qeverish. Por që kjo të ndodhë duhen përveshur mëngët për të bërë punë dhe jo llogje, duhen shpalosur vizione, duhen ndërmarrë inisiativa që qytetarët të të besojnë, të të duan, të të zgjedhin.
Lulzim Basha, në të kundërt, u shfaq një politikan spitullaq, me një buzeqeshje të stampuar në fytyrë, shumë herë edhe të pakuptimtë, i cili as të ngrohte as të ftohte, as të entusiazmonte, as të bindte. Nuk e di, as e marr dot me mend, se kush mund të ishte apo të jetë arsyeja për të cilën duhet të votosh një lider të tillë, pasi aii tillë nuk është. Ai nuk e ka stofën e liderit.
Kuptohet që demokratët i ka zënë halli. Hall i madh. Berisha nuk fiton më. Ai duhet zëvendësuar. Por Berisha një vlerë e kishte (ndoshta bëj gabim që shprehem në kohën e shkuar), ai shquhej për karizmën dhe energjinë e tij. Ai i ngrinte peshë fanatikët e tij. Duhet që zëvendësuesi minimalisht të ketë këto tipare për të rikthyer entusiazmin e shuar. Por, a ka Basha tipare të tilla? Unë them absolutisht jo! Edhe një herë që tentoi të trashë zërin nëpër tribuna, përfundoi në rubrikat satirike si subjekt gallate.
Dëgjoj dhe lexoj demokratë të zhgënjyerdhe të dëshpëruar nga seriali i humbjeve,të cilët kërkojnë apo artikulojnë një rikthim të Bashës. Dhe pyes: Po pse??? Çfarë solli ndryshe ai?
Të shohësh Bashën si shpresë e ringritjes së Partisë Demokratike, madje deri në fitoren e munguar, do të thotë që klasa politike, e djathta shqiptare,është shterpë, përfundimisht e dorëzuar, e paaftë për të “prodhuar” një lider të ri.
Momenti dramatik në të cilin po kalon opozita shqiptare, është më i duhuri për tëhapur një faqe të re, me një mentalitet të ri, deri në bashkimin e saj, aq të kërkuar nga të gjithë në fakt. Dhe për këtë duhet të dalë në skenënjëpolitikan i ri, jo vetëm në moshë. Mjafton që opozita shqiptare tëçlirohet nga morseta me dy nofulla: Berisha dhe Basha.
Loja për këta të dy tashmë ka përfunduar. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë demokratët.
Ja pse, një rikthim i mundshëm i Bashës në krye të Partisë Demokratike, e përsëris, qoftë edhe nga halli, pasi nuk gjej asnjë arsye tjetër,është një lajm i keq, madje shumë i keq, jo vetëm për të djathtën shqiptare, por për tërë klasën politike në përgjithësi.
Ka 30 vjet qëPartia Demokratike gërryhet në shterpësinë e saj për të nxjerrë një lider të ri, megjithëse kalon nga humbja në humbje. A nuk është ky momenti i duhur?