Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës nuk vonoi të "përkthehej" në luftën e rradhës të qeverisjes Rama. Pasi fitoi betejën me Rindërtimin -pas tërmetit-, ia bëri fora pandemisë, ekzekutivit i duhet të përballet me krizën energjetike dhe rritjen domethënëse të çmimeve, sa prej saj aq edhe prej konfliktit në Ukrainë.
Është krejtësisht e pritshme që një fatkeqësi natyrore si tërmeti i nëntorit 2019, një pandemi si ajo e Covid-19, që ka vrarë miliona, apo dhe problemet globale me sigurimin energjisë, të cilat po shtohen edhe prej luftës së fundit, të kishin ndikim domethënës në ekonominë e vendit tonë.
Por, përpos paqartësisë që karakterizon të tilla situata, ajo që irriton edhe më, është qasja e pandryshuar disavjeçare e kryeministrit Rama dhe qeverive të tij përballë këtyre sfidave.
Duke e pagëzuar secilën si luftë, ai i kërkon, çdo herë, qytetarëve që të durojnë dhe të sakrifikojnë. Ndërsa anëtarët e qeverisë që e shoqërojnë kur jep të tilla kumte, nxitojnë të ofrojnë këshilla teknike e vizionare për popullin injorant.
Kështu, dy-tre dimra të shkuar, bashkëpunëtorët e tij të afërt në qeveri, i tregonin shqiptarëve në çadra e kontenierë se nuk duhej të banonin e blenin shtëpi të keqndërtuara. Vetëm nuk përmendej, të paktën, se si firmat e ekspertëve për cilësinë ishin marrë për ndërtesat e shembura.
Me të njëjtën qasje, për rreth një vit, ministrja përkatëse nuk fliste për mungesat në staf dhe mjete ndër spitale, për problemet dhe abuzimet me medikamente, por i mësonte shqiptarëve imtësisht si të lanin duart e ku ta vinin maskën.
Tani, për krizën energjetike, strategjitë e qeverisë bazohen në kursimin. Ministrja krah Ramës, praktikisht, na kërkoi të mos blejmë cigare me makinë dhe të ecim në këmbë. Dukshëm, e njëjtë është pritshmëria edhe për bukën a të tjera produkte jetike, që janë shtrenjtuar ndjeshëm, si karburanti. Por falë Zotit, në këtë mars të ftohtë, mund të na ishte kërkuar edhe të ngrohemi me qiri.
Ndonëse në një luftë të mirëfilltë, sakrificat janë të pritshme nga çdo shtresë e popullsisë, nga çdo individ në mundësinë e mënyrën e vet - si në Ukrainë- në Shqipëri, sakrificat janë ekskluzivisht për supet e njerëzve të thjeshtë. Atyre u duhet të shtrëngojnë rripin pa bërë zë.
Prandaj, një tjetër ministre, e zënë në befasi prej pyetjes në lidhje me çështjen apo, thjesht, se i mungon pjekuria e nevojshme për të ditur peshën e fjalës, kishte guximin të deklaronte publikisht, pikërisht ditën kur nafta kapi çmim rekord, se ajo prej postit nuk mund të ecë në këmbë. I duhet të përdorë makinë.
Por kryeministri dhe grupi që e rrethon, sado të paeksperiencë e të rinj në politikë të jenë, duhet të kuptojnë se shqiptarët nuk mund të jenë viktimat konkrete të "luftrave" të tij imagjinare.
Me dëshirë, prej mungesës së alternativës apo për mjaft arsye të tjera, ai me stafin qeverisës që shpesh të kujton titullin e librit të famshëm të Luiza Mei Ellkot "Gra të vogla" janë ata që na udhëheqin. E i takon atij të parit e atyre me rradhë të përpilojnë strategji të mirëfillta që shqiptarët të mos vuajnë, ku ideja "unë ha e ti më shih" nuk ka vend.
Është përgjegjësia e tij dhe e atij grupi, në mesin e të cilit ka prej atyre që nuk tërhiqen ta përngjasojnë me një Zeus të pashmangshëm shefin e vet, që të mos i mësojnë shqiptarët si të tkurren më tej dhe si të bashkëjetojnë me hallet, por t'ia zbusin ato.
Por, si duket në Olimpin ku jetojnë qeveritarëve tonë, të cilët momentin e blerjes së domateve më të lira e fotografojnë si eveniment, të cilët dalin të blejnë cigare me makinë, dhe të cilët turpërohen kur njerëzit protestojnë se nuk munden të "luftojnë" më, nuk e kuptojnë këtë.
©Copyright Vox News
Autorja Edona Llukaçaj është pedagoge dhe aktiviste. Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.