Është e vështirë për ne vdekatarët të kuptojmë se ç’është iluzioni. Dinamika industriale dhe teknologjike e ka bërë qenien njerëzore hiperegoiste. Ne kemi bjerrë me këtë rast edhe empatinë, si cilësi ontologjike të qenies.
Çfarë ndodh, kur individi ndeshet me mirëqenien e tjetrit? Me vilën e tjetrit? Me rrobat firmato të tjetrit, me veturën e tjetrit? Ndodh ajo që nuk ndodh kur po ky individ ndeshet me kulturën, punën, produktin intelektual dhe talentin e tjetrit. Të diturit sot janë edhe më të rrallë se ç’kanë qenë gjithmonë.
Dituria dhe niveli kulturor vlerësohet sot sipas vërtetimeve, dëshmive, vulave të cilat, jo vetëm eliminojnë dukjen injorante, por krijojnë edhe legjenda urbane. Së këtejmi, ekspansioni i egoizmit të qenies komune, nuk njeh kufij. Kjo pasqyrohet më dukshëm dhe më qartë në kulturë.
Ka mundësi që dikujt me xhepa plot i duket asgjë edhe Gjergj Fishta, edhe Mjeda, edhe Lasgushi, edhe Migjeni, edhe Frashërlinjtë, edhe Kuteli, edhe Çabej etj. Efekti i këtij egoizmi të mahisur në narcizëm është leximi i cekët i veprave të të parëve. Një lexim jo vetëm i sipërfaqshëm, por edhe i qorruar nga iluzioni narcistik se gjithkush mund të jetë si ata.
Dhe kjo është edhe një nga arsyet që sot gëlojnë dhe mizërojnë me mijëra shkrues, që nuk kanë asnjë lidhje me artin e shkrimit, përveç iluzionit antropomorf, këtij kurthi të pabesë, që i bën qeniet e pafajshme vdekatare t’u duket vetja se ngjajnë me Nolin e Konicën për faktin se janë të pajisur nga dora e krijuesit nga pesë gishta, dy duar dhe organe të tjera njeringjashme me të sipërpërmendurit. Sot qarkullojnë pyetje të tilla si: “Sa vepra ke shkruar ti?” ose “Sa çmime ke marrë?” etj.
Gjithë ky meditimi im i vogël që po e ndaj tani, buron nga një ndeshtrashë që më përplaset nga takimi me satirën e Patër Gjergjit (kështu më pëlqen t’i them Fishtës, si të parët e mi). E lexoj shpesh (si gjithkush) dhe ndihem në faj që e lexoj kaq cekët (lexohet kaq cekët). Patër Gjergji âsht mbreti i satirës shqiptare. Gjithkund âsht i madh, por në satirë âsht madhështor. Madhështia qëndron tek e papritura. Dhe e papritura qëndron tek befasia. Kurse befasia e tij qëndron tek fantazia e një artisti të lindur për të krijuar sublimen e artit të fjalës.
Kjo mendje e mprehtë, e pajisur me informacion dhe kulturë të pafund, ky artist fjale dhe barometër i një patriotizmi të pashembullt, që njeh të gjitha zhvillimet ballkanike e më gjerë, ka shpërthime të befasishme satirike, që vlejnë sa mijëra kontribute shkrimore. Kur më ra rasti para dy vitesh të vizitoja qytetin e alfabetit të shqipes, Manastirin, pashë një qendër urbane të boshatisur nga shqipfolës. U zhgënjeva deri në dëshpërim dhe bash aty m’u kujtuan vargjet e Patër Gjergjit të bekuar:
“Prap po thonë se edhe bullgarvet
Fort po u vesket Monastiri,
E se gacat n’tokë t’shqyptarvet
Rrin tu’ i shti hiri e pa hiri.
Fundja, ç’dimë më shumë se kaq ne shkrimorët e një shekulli më vonë, që shkarravisim tonelata letre për t’u dukur si shkrues. Fantazia e Patër Gjergjit krijon imazhe që kufizojnë me iluzione optike. Ja dy shembuj:
(1)“Ele ma, por se si deshta
Me të than’ shi n’fjalë të parë
Sot ma shpejt nji thes me pleshta
Ti gjen bashkë se dy shqiptarë.”
Ky thesi me pleshta âsht mjaft interesant. Sa herë e kam imagjinuar veten apo dikë tjetër duke mbartur në shpinë një thes të tillë.
(2) Tek “Lugati” (“Lahuta”), ka sekuenca humori. Kur Knjaz Nikollës i shfaqet në mesnatë fantazma e Mehmet Ali Pashës. Kjo skenë shekspiriane jepet kështu:
“E kish barkun sa j’ fund sheket,
Rrethue shtatin n’pëlhurë deket,
Me do njolla gjakut t’zi,
Që për mnerë n’të ishin ngri.”
Këtu, ajo figura që estetët apo “kritikët” e quajnë oksimorë dhe që zakonisht zë hapësirën e një togfjalëshi apo të një vargu, pushton një paragraf të tërë poetik.
Por të citojmë më mirë Volterin: “Il faut cultiver notre jardin.”
Ma mirë me punue gjithkush bahçen e vet.