Fasadat e spitaleve lulëzojnë, shëndeti i qytetarëve thahet brenda tyre

23 June 2022, 11:30Pikëpamje SHKRUAR NGA BRUNA SOLLAKU
Fasadat e spitaleve lulëzojnë, shëndeti i qytetarëve thahet
Bruna Sollaku

Në këto temperatura të nxehta, punonjësit e bashkisë, me urdhër nga lart, sigurohen që të kujdesen për ujitjen e barin pranë Qendrës Spitalore Universitare Tiranë. Zelli i punonjësve, në krye të detyrës në shërbim të "barit", është goxha i lartë.

Më duhej të shkoja tek QSUT-ja dhe, sapo hyra pranë Pediatrisë, pashë 2 punonjës duke ujitur. Krah tyre ishin jo pak, por 5-6 të tjerë që filmonin (me thënë të drejtën nuk u habita, pasi jemi mësuar me të tillë propagandë). Video e foto pafund për të treguar që çdo gjë tjetër funksionon si jo më mirë dhe ka ngelur vetëm propagandimi i ujitjes së barit...

Vazhdova rrugën drejt Neurokirurgjisë, atje ku kisha punë. Që jashtë derës arrita të kuptoja radhën e gjatë të njerëzve që prisnin për të marrë shërbimin që kishin nevojë (ishte ora 9, kur vinte doktoresha, e prapëseprapë radha ishte plot). U futa brenda ndërkohë që recepsionistet ulërisnin (duke u justifikuar me faktin që ishin të lodhura, me të drejtë mbase).

Pacientë dhe të afërm sorollateshin sa andej-këndej për përgjigjet e vizitave të tyre, ndërsa disa të tjerë kërkonin nëpër xhepa "racionin" e radhës për të marrë shërbimin. Mora numrin, e 14-ta në radhë, dhe e fjeta mendjen që do më duhej të prisja shumë gjatë.

U mundova të gjeja një cep për t’u ulur, ndërkohë njerëzit natyrshëm kishin filluar të qanin hallet me njëri-tjetrin.

- “Jam nga Durrësi. Është hera e dytë brenda javës që vij pasi ka mungesë ilaçesh. Gruan e kam keq dhe kam frikë se do përkeqësohet edhe më shumë nëse nuk i merr ilaçet në kohë.” – tha një burrë i moshuar.

- “Edhe unë të njëjtin hall kam” – ia preu një tjetër.

Veç një fytyre të trishtuar, nuk dija ç’reagim tjetër të bëja në atë situatë.

- “U prish prapë sistemi!” – u dëgjua të bërtiste recepsionistja.

Të gjithë njerëzit që kishin ardhur për të planifikuar rezonancat duhet të ktheheshin mbrapsht.

- “Po kam ardhur që nga Lushnja për këtë rezonancë, më ka kushtuar taksia 7’000 lekë! Po talleni me ne?!” – bërtiti një i moshuar.

Rreth 10 persona, të lodhur e të mërzitur, ulën kokën dhe u larguan. Jo veç prej prishjes së sistemit të rezonancës, sesa prej gjithë sistemit ekonomik, politik e shoqëror, për të cilin “le të jeshilojë bari i propagandës, se ‘punë e madhe fort’ ç’bëhet me jetët e njerëzve!”.

*Aktiviste e Organizatës Politike

 


Video