Në më pak se një orë nga publikimi i skandalit, SPAK nis hetimin, Rama përgatit shkarkimin, ndësa vetë Safeti jep dorëheqjen duke kërkuar ndjesë i penduar.
Në këtë pikë Shqipëria nuk ka ndryshim nga ajo që do kishte ndodhur në çdo vend perëndimor, ku reagimi ndaj një ngjarje të tillë do ishte i ngjashëm.
Por ne ndryshojmë nga reagimi publik dhe zyrtar ndaj skandaleve të tjera, të cilat nuk kanë në qendër seksin, por vjedhjen e parave publike.
I njëjti njeri ka bërë herë pas here bujë, si me abuzimin me tenderat e bashkisë, ashtu edhe me shpërdorimin e detyrës deri tek helmimi i ujit të pijshëm.
Por në të gjitha rastet kjo ka kaluar pa asnjë pasojë, asnjë hetim dhe asnjë reagim zyrtar.
Safeti u bë lajm kombëtar për darkat me McGonigal, apo për talljen me varfërinë e qytetarëve me shprehjen e famshme “si keni qenë me mishin?”.
Por në asnjë rast nuk pati vetëreflektim apo ndjesë publike.
E njëjta sjellje ka ndodhur si nga PS-ja ashtu edhe nga PD-ja kur ishte në pushtet. Është toleruar vjedhja, abuzimi, mashtrimi madje edhe vrasja, por jo seksi.
Kur ministri Pango doli në video duke hequr mbërtheckat, ai u shkarkua brenda orës, por kur ministri Meta doli me bllok në dorë, u mbrojt deri në momentin e fundit.
Padyshim që kjo ndodh për arsyen se seksin secili e bën për vete, ndërsa paratë i vjedhin bashkë.
Kryeministri nuk mund të shkarkojë një kryebashkiak që vjedh buxhetin, nëse ai po vjedh me urdhër apo bekim të tij.
Por ka edhe një arsye të dytë përse ekziston ky standard i dyfishtë, dhe ka të bëjë me tolerancën e shoqërisë.
Prej kohësh ne jemi mësuar me abuzimin e pushtetarëve deri në pikën që nuk na bën më përshtypje kur ata kapen duke na vjedhur.
Ky lloj pranimi i të keqes e ka futur moralin poshtë pantallonave duke i amnistuar hajdutët e parave tona.
Nëse ne nuk irritohemi kur na vjedhin, ata do vazhdojnë të mos japin dorëheqjen, apo të kërkojnë ndjesë.
Nëse populli do irritohet vetëm kur iu sheh brekët e ngrisura politikanëve, ata do vazhdojnë ta lënë me gisht në gojĕ.